11 korrik, të premten, shënohet 30 -vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, që u krye nga forcat serbe në Bosnje e Hercegovinë.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë e 300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Më 2024, për herë të parë, 11 korriku u shënua si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi kjo organizatë miratoi një rezolutë për Srebrenicën më 23 maj të vitit të kaluar.
Edhe Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit.
Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Srpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.
Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.
Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.





