Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hodhi sot një paralajmërim të fortë drejt Kremlinit: nëse brenda 50 ditësh nuk arrihet marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë, Uashingtoni do të godasë Rusinë me tarifa të rënda tregtare.
“Do të vendosim tarifa shumë të rënda, nëse nuk kemi marrëveshje brenda 50 ditëve,” deklaroi Trump nga Zyra Ovale, gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Pa dhënë hollësi për masat konkrete, Trump theksoi se përdorimi i tregtisë si instrument presioni mund të shërbejë për të ndalur luftërat.
Në të njëjtën ditë, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ukrainën, Keith Kellogg, zhvilloi bisedime në Kiev me presidentin Zelensky, duke diskutuar për paqen, forcimin e mbrojtjes ajrore dhe bashkëpunimin ushtarak me Evropën.
Pavarësisht kontakteve të shpeshta me Putinin, Trump shprehu hapur zhgënjimin për mungesën e vullnetit të Kremlinit për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë.
“Jam i zhgënjyer me Rusinë, por do të shohim çfarë ndodh në javët në vijim,” u shpreh Trump, duke ashpërsuar tonin ndaj Moskës si rrallëherë më parë.










