Në një konferencë të përbashkët me presidentin Trump, sekretarin e Mbrojtjes Hegseth dhe atë të Jashtëm Rubio, Witkoff zbuloi gjithashtu se pala iraniane u ka thënë negociatorëve amerikanë se zotëron rreth 460 kilogramë uranium të pasuruar, sasi që sipas tij mund të përdoret për ndërtimin e 11 bombave atomike. Ai konfirmoi se SHBA-të kanë paraqitur një propozim me 15 pika për një marrëveshje paqeje, i cili po ndërmjetësohet përmes Pakistanit dhe ka sjellë deri tani “mesazhe dhe biseda pozitive”.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA-të do të vazhdojnë të “negociojnë me bomba” derisa të ketë bisedime konkrete, duke theksuar se Uashingtoni shpreson për një marrëveshje, por mbetet i gatshëm për veprime ushtarake. Ai përmendi edhe një sulm të dështuar iranian ndaj bazës Diego Garcia, duke e cilësuar Iranin si kërcënim global.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se është Irani ai që po kërkon marrëveshje dhe jo SHBA-të, duke shtuar se sulmet e fundit kanë goditur rëndë kapacitetet ushtarake iraniane. Ai paralajmëroi gjithashtu se Teherani kishte plane për dominim në Lindjen e Mesme dhe synonte të siguronte armë bërthamore.
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se vendet e botës duhet të jenë mirënjohëse që SHBA-të po përballen me një kërcënim të tillë.
Në të njëjtën linjë të fortë, Trump dërgoi mesazhe edhe ndaj aleatëve në NATO, duke theksuar se mbështetja ndaj SHBA-ve në këtë moment do të mbahet mend në të ardhmen.










