Trendy

Trump: Jemi në një linjë me Netanyahun, Irani asnjë fond pa marrëveshje paqeje!

Para 2 orë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se vazhdon të ketë një marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC-së, Trump tha se ai dhe Netanyahu mbeten në të njëjtën linjë për çështjet kryesore, duke e cilësuar liderin izraelit si një mik të afërt.

“Shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kemi qenë shokë të shkëlqyer”, u shpreh Trump, teksa iu referua edhe bashkëpunimit mes dy vendeve në operacionet kundër Iranit.

Megjithatë, presidenti amerikan pranoi se ka dallime me Netanyahun për mënyrën se si Izraeli po zhvillon operacionet ushtarake në Liban. Sipas tij, ai do të preferonte veprime më të fokusuara kundër Hezbollahut, duke shmangur një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit.

Trump shtoi gjithashtu se SHBA mund të ndihmojë në këtë drejtim ose të mbështetet te qeveria e re siriane, për të cilën shprehu vlerësime pozitive.

Deklaratat vijnë në një moment kur përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut janë intensifikuar në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Izraelit dhe Libanit.

Vetëm pak ditë më parë, Trump shprehu shqetësimin e tij për planet ushtarake të Izraelit në Liban, ndërsa Uashingtoni vijon përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje me Iranin.

Donald Trump deklaroi gjithashtu se SHBA-të nuk do të lirojnë asetet e ngrira të Iranit dhe as nuk do të lehtësojnë sanksionet ndaj Teheranit përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje.

Presidenti amerikan theksoi se çdo vendim për zhbllokimin e fondeve apo heqjen e masave ndëshkuese do të merret vetëm pas finalizimit të një marrëveshjeje.

“Nëse sillen mirë, nëse bëjnë një punë të mirë, ne fillojmë të flasim”, u shpreh Trump.

Ai shtoi gjithashtu se administrata e tij nuk po kërkon përfshirjen e Libanit në një marrëveshje afatshkurtër mes SHBA-së dhe Iranit, duke lënë të kuptohet se fokusi mbetet te negociatat direkte me Teheranin.

Trending