Donald Trump nuk e toleron një NATO indiferente ndaj konfliktin me Iranin: Presidenti i SHBA-së e paralajmëroi aleancën për një të ardhme “shumë të keqe” nëse ndihmon për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i tha Financial Times se vendet që përfitojnë nga kjo rrugë detare duhet të ndihmojnë në sigurimin e saj.
“Është plotësisht e arsyeshme që njerëzit të cilët përfitojnë nga Ngushtica të ndihmojnë për të siguruar që asgjë e keqe të mos ndodhë atje.”, shprehet Trump.
Në bazë të kësaj logjike, Trump kërkoi edhe ndërhyrjen e Pekinit, e madje paralajmëroi se nëse Kina nuk ndërmerr asnjë hap, ai mund ta shtyjë një samit të planifikuar me Presidentin kinez Xi Jinping.
“Mendoj se edhe Kina duhet të ndihmojë, sepse Kina e siguron nëpërmjet kësaj ngushtice 90% të naftës së saj. Përpara takimit tonë të planifikuar, do të doja shumë të dija qëndrimin e Pekinit. Sepse edhe mund ta shtyjmë udhëtimin”, theksoi presidenti i SHBA.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng përfunduan të dielën në Paris ditën e parë nga dy ditë bisedimesh për të zgjidhur mosmarrëveshjet në armëpushimin tregtar dhe për të hapur rrugën për udhëtimin e Trump në Pekin për t’u takuar me Xi në fund të marsit. Të shtunën, Trump u bëri thirrje vendeve të dërgojnë anije luftarake për ta mbajtur të hapur këtë rrugë të ngushtë ujore për transportin detar, ndërsa forcat iraniane vazhdojnë sulmet pas goditjeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ai tha se shpreson që edhe vende si Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Britania të dërgojnë anije në zonë. Kur iu kërkua të specifikonte ndihmën që dëshiron të marrë prej tyre, Trump iu përgjigj Financial Times se kjo mund të përfshijë anije për pastrimin e minave dhe mjete të tjera ushtarake për të neutralizuar dronët dhe minat detare.
“Ne po i godasim shumë fort forcat iraniane”, u shpreh presidenti. “Atyre nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të krijojnë pak probleme në Ngushticë… kështu që, ata të cilët përfitojnë prej saj dhe duhet të na ndihmojnë ta patrullojmë.” Irani e mbylli ngushticën pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme kundër tij më shumë se dy javë më parë.
Nëpër këtë rrugë të rëndësishme detare kalon rreth një e pesta e të gjitha naftës globale dhe gazit të lëngshëm natyror.










