Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se ushtria amerikane do të rrëzojë avionët luftarakë venezuelas nëse ata përsëri fluturojnë mbi anijet luftarake amerikane në Karaibe. Ndërkohë, burime nga Uashingtoni kanë paralajmëruar mundësinë e goditjeve ushtarake ndaj objektivave në Venezuelë, çka do të përbënte një përshkallëzim dramatik të tensioneve mes SHBA-së dhe kësaj shteti të Amerikës Latine.
Presidenti socialist Nicolás Maduro u kundërpërgjigj duke thënë se çdo agresion amerikan do të sillte një “luftë të armatosur të planifikuar e të organizuar të gjithë popullit”. Ai gjithashtu njoftoi fillimin e trajnimit të milicive ku përfshihet edhe popullata civile, ndërsa shumë mbështetës të tij dolën në rrugë në shenjë solidariteti.
Trump prej kohësh është në konflikt me Maduron, të cilin e akuzon se është udhëheqës i kartelit të drogës Cartel de los Soles. Në mandatin e tij të parë ai shpalli politikën e “presionit maksimal” përmes sanksioneve ekonomike dhe madje njohu liderin e opozitës si president legjitim të Venezuelës. Por strategjia dështoi, ndërsa Maduro forcoi pushtetin e tij, duke përdorur (sipas kundërshtarëve) të ardhurat nga tregtia e drogës dhe eksploatimi ilegal i arit për ta mbajtur regjimin autoritar.
Trump ka ofruar 50 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e Maduros, por në të njëjtën kohë administrata e tij ka bërë marrëveshje me qeverinë venezuelase për çlirimin e pengjeve amerikane dhe për lehtësimin e operacioneve të naftës.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane ka goditur një anije venezuelase në Karaibet jugore, duke lënë 11 të vdekur, pasi sipas Trumpit transportonte drogë. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në rajon anije luftarake të armatosura me raketa Tomahawk, një nëndetëse dhe mbi 4000 ushtarë, përfshirë më shumë se 2000 marinsa.
Ndërkohë, Venezuela ka dërguar disa herë avionë luftarakë pranë një shkatërruesi amerikan në ujërat ndërkombëtare, veprim që Pentagoni e quajti “provokim shumë të rrezikshëm”. Trump paralajmëroi se herën tjetër SHBA nuk do të përmbahet.
Megjithatë, analistët theksojnë se eskalimi i plotë në luftë është pak i mundshëm, përveçse nëse do t’i shërbente interesave të SHBA-së. Sipas tyre, Trump përdor gjeste të forta për të treguar forcë, për të frikësuar kundërshtarët dhe për të fituar pikë politike.
Në sfond, ndonëse Trump tani e ka zhvendosur fokusin nga nafta tek droga dhe emigrantët, mbetet fakti se Venezuela zotëron rezerva të mëdha nafte dhe ka lidhje të ngushta strategjike me Kinën, që i ka huazuar rreth 60 miliardë dollarë. Kjo e bën Venezuelën jo vetëm një çështje të sigurisë amerikane, por edhe një pikë të nxehtë të rivalitetit global SHBA–Kinë.










