Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi këtë të premte një urdhër ekzekutiv për krijimin e një akademie kombëtare në Shtetet e Bashkuara, e cila do të përgatisë personelin e ardhshëm për NASA-n dhe Forcën Hapësinore amerikane.
Institucioni i ri do të quhet Akademia Hapësinore e Shteteve të Bashkuara (US Space Academy). Trump e njoftoi krijimin e saj gjatë një ceremonie në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Houston, ku i akordoi ekuipazhit të misionit Artemis II Medaljen e Nderit Hapësinor të Kongresit.
“Është diçka shumë e madhe”, deklaroi Trump, duke shtuar se akademia “do të ketë si mision të tërheqë, trajnojë dhe diplomojë talentet më të mira që vendi ynë ka për të ofruar”.
Akademia pritet t’i shërbejë NASA-s, industrisë private hapësinore dhe United States Space Force, dega e gjashtë e Forcave të Armatosura amerikane, e krijuar gjatë mandatit të parë presidencial të Trump.
Ende nuk është përcaktuar se ku do të vendoset selia e institucionit të ri.
“Një komb nuk mund të jetë i pari në Tokë nëse do të jemi të dytët në Hapësirë. Thjesht nuk do të ndodhë. Në njëfarë mënyre, gjërat thjesht nuk funksionojnë kështu”, tha Trump.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se NASA ka nisur punën për atë që ai e përshkroi si anijen e parë hapësinore ndërplanetare me energji bërthamore. Sipas Trump, ajo pritet të niset në një mision drejt Marsit në vitin 2028.
Ai tha se kjo anije mund të jetë e para e një flote më të madhe amerikane, me synimin që udhëtimet në hapësirë të bëhen më të zakonshme në të ardhmen.
Njoftimi për akademinë e re vjen në një periudhë kur hapësira po zë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në konkurrencën strategjike, ushtarake dhe teknologjike mes fuqive të mëdha.
Administrata Trump e ka përshkruar konkurrencën me Pekinin si një “garë të dytë hapësinore”, duke e krahasuar me rivalitetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina synojnë të dërgojnë njerëz në Hënë deri në vitin 2030 dhe të krijojnë baza në sipërfaqen hënore.











