Trendy

Trump: Krimea do të qëndrojë me Rusinë dhe Zelensky e kupton këtë

Para 11 muaj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha në një intervistë të publikuar të premten se “Krimea do të qëndrojë me Rusinë”, shembulli më i ri i presionit të miliarderit amerikan ndaj Ukrainës për të bërë koncesione që t’i jepet fund luftës.

“Zelensky e kupton këtë dhe secili e kupton se ajo (Krimea) ka qenë me ta (Rusinë) për një kohë të gjatë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ai i bëri këto komente në një intervistë me revistën “Time”, e cila u zhvillua të martën. Trumpi e ka akuzuar Zelenskyn për zgjatjen e luftës përmes rezistencës ndaj bisedimeve me homologun rus, Vladimir Putin.

Krimea është gadishull strategjik buzë Detit të Zi, në jug të Ukrainës. Ai territor ishte kapur nga Rusia më 2014, kur në pushtet në Uashington ishte ish-presidenti Barack Obama, disa vjet para se të fillonte pushtimi i plotë rus i Ukrainës më 2022.

“Ata (rusët) i kanë pasur nëndetëset e tyre atje (në Krime) për një kohë të gjatë para cilësdo periudhë për të cilën po flasim, për shumë vjet. Njerëzit flasin kryesisht rusisht në Krime, por kjo ishte dhënë nga Obama. Kjo nuk u dha nga Trumpi” – shtoi presidenti amerikan.

Kur u pyet për premtimin e tij në fushatën para zgjedhjeve presidenciale se do t’i jepte fund luftës Rusi – Ukrainë që në ditën e parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha: “Epo, e thatë atë figurativisht dhe e thatë si një ekzagjerim, për të theksuar një pikë dhe, e dini, merret nga lajmet e rreme [nuk kuptohet]. Qartazi, njerëzit e dinë se kur e thashtë atë, e thashë me shaka, por ajo gjithashtu u tha dhe ajo (lufta) do të përfundohet.”

Ndërkohë, Rusia i ka vazhduar sulmet ndaj vendit fqinj. Një dron goditi një ndërtesë banimi në një qytet në juglindje të Ukrainës, duke lënë të vrarë tre njerëz e duke lënduar dhjetë të tjerë, thanë zyrtarët të premten, një ditë pasi Trumpi e kritikoi homologun rus, Vladimir Putin, për një sulm vdekjeprurës me raketa e dronë në Kiev./Nacionale

Trending