Trendy

Trump: Marina amerikane do të shoqërojë cisterna përmes Ngushticës së Hormuzit “nëse është e nevojshme”

Para 1 orë

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë përshkallëzuar ndjeshëm situatën në një nga pikat më strategjike për energjinë globale, Ngushticës së Hormuzit, ku pothuajse është ndalur trafiku detar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se “nëse është e nevojshme, Marina e Shteteve të Bashkuara do të fillojë shoqërimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka ndaluar pothuajse tërësisht trafikun detar që kalon përmes kësaj ngushtice, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit. Bëhet fjalë për një nga rrugët më të rëndësishme në botë për furnizimet globale me naftë dhe gaz, me pothuajse 20 milionë fuçi naftë që kalojnë në ditë.

Trumpi ka bërë të ditur gjithashtu se ka udhëzuar një agjenci federale të ofrojë “sigurim kundër rrezikut politik dhe garanci për të gjithë tregtinë detare” përmes Gjirit.

“Pavarësisht gjithçkaje, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë rrjedhën e lirë të energjisë në botë”, ka thënë Trumpi.

Në anën tjetër, një zyrtar iranian ka paralajmëruar për pasoja të rënda për çdo anije që tenton të kalojë nëpër këtë ngushticë, nëpër të cilën kalon një e pesta e naftës dhe gazit në botë.

Paralajmërimi është bërë nga Ebrahim Jabbari, këshilltar i Komandantit të Përgjithshëm të Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), gjatë një paraqitjeje në televizionin shtetëror iranian.

Ai ka deklaruar se Irani do t’i “vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë” nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar se ngushtica është e mbyllur dhe se anijet do të përballen me përgjigje serioze nëse afrohen.

“Ata nuk duhet të vijnë në këtë rajon. Ata me siguri do të përballen me një përgjigje serioze nga ne”, ka thënë ai.

Trending