Trendy

Trump ndalon luftën në Ballkan – Serbia zmbrapset nga mësymja ndaj Kosovës

Para 9 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar publikisht se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, personalisht ka ndërhyrë për të ndaluar një mësymje të paralajmëruar të Serbisë ndaj Kosovës, gjatë javëve të fundit. Deklarata u bë gjatë një ligjërate në Washington, ku Osmani theksoi se informacionet për një skenar të tillë ndodheshin në raportet ditore të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Presidenti Trump ishte shumë i qartë në atë që tha. Për ne që lexojmë çdo ditë raportet tona të sigurisë, është e qartë që ai po flet për javët e fundit, jo për Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 apo për ngjarjet e Banjskës në 2023”, deklaroi Osmani, duke shtuar se ndërhyrja e Trump ka ndalur një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.

Në reagim ndaj kësaj deklarate, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi kategorikisht pretendimet. “Ne nuk kemi urdhëruar asnjë ushtar dhe nuk kemi lëvizur asnjë makinë. Ata që flasin për luftë, kanë ndonjë ndjenjë faji”, u shpreh Vuçiç për mediat serbe. Ai madje ironizoi deklaratat, duke thënë se “për këtë duhen mjekë, jo politikanë”.

Presidenti Trump, në deklarata të fundit, ka përmendur zgjidhjen e disa konflikteve ndërkombëtare, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë:

“Në javët e fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë… E ndaluam Serbinë, e cila do t’ia mësynte”, ka deklaruar Trump, pa dhënë shumë detaje.

Kjo deklaratë ka hapur debat në rajon, por në Prishtinë është parë si një sinjal i qartë i rolit të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Vjosa Osmani theksoi se kontributi i presidentit Trump duhet të vlerësohet, duke nënvizuar se mbështetja amerikane ndaj Kosovës mbetet jetike në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Ballkan.

Trending