Trendy

Trump paralajmëron Iranin: Mund të godasim edhe më fort, por ndoshta jo

Para 41 minuta

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin me mundësinë e sulmeve të tjera ushtarake, ndërsa deklaroi se negociatat mes Washington-it dhe Teheranit ndodhen në “fazat finale”.

Duke folur para gazetarëve të mërkurën, Trump sugjeroi se ende ekziston mundësia e një marrëveshjeje, por paralajmëroi pasoja nëse Irani refuzon të arrijë paqe apo kompromis për programin e tij bërthamor.

“Jemi në fazat finale me Iranin. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Ose kemi një marrëveshje, ose do të bëjmë disa gjëra paksa të pakëndshme, por shpresoj që kjo të mos ndodhë”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha se preferon një zgjidhje që shmang viktimat, por la të kuptohet se opsioni ushtarak mbetet mbi tavolinë.

“Në mënyrë ideale, do të doja të shihja pak njerëz të vrarë, në vend të shumëve. Mund ta bëjmë në të dyja mënyrat”, u shpreh ai.

Më vonë, gjatë një fjalimi në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-ve, Trump riktheu retorikën e tij të fortë ndaj Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit ushtarak.

“Mund të na duhet t’i godasim shumë fort… por ndoshta jo”, tha ai, duke përsëritur se administrata e tij është e vendosur të mos lejojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas raportimeve për sulme të mëparshme amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane, ndërsa diplomacia duket se po përpiqet të shmangë një përshkallëzim më të gjerë rajonal.

Trending