Trendy

Trump sërish kritikon NATO-n: Ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një tigër prej letre

Para 2 orë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një seri postimesh në rrjetin Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, ku ka rikthyer edhe kritikat e ashpra ndaj NATO-s.

Në një prej postimeve të tij, Trump tha se pas përfundimit të situatës në Ngushticën e Hormuzit ka marrë një telefonatë nga NATO, duke shtuar se u kishte kërkuar të qëndronin larg.

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit ka përfunduar, mora një telefonatë nga NATO duke pyetur nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndronin larg, përveçse nëse duan thjesht të ngarkojnë anijet e tyre me naftë. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një tigër prej letre!”, ka shkruar Trump.

Në postimet e tjera, ai ka falënderuar Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, duke i vlerësuar për “guximin e madh dhe ndihmën” në menaxhimin e situatës.

Trump është ndalur edhe te çështja e sigurisë detare, duke deklaruar se Irani, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka hequr ose është në proces të heqjes së të gjitha minave detare në zonë.

Ndërkohë, ai ka theksuar se hapja e ngushticës nuk ka lidhje me armëpushimin në Liban.

“Sërish! Kjo marrëveshje nuk lidhet në asnjë mënyrë me Libanin, por ne do ta bëjmë Libanin të mrekullueshëm sërish!” ka shkruar Trump.

Trending