Presidenti amerikan Donald Trump, ka vijuar përplasjen me Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz pas deklaratave të këtij të fundit, se ekipi i Trump po “mposhtej” në negociatat e tij me Iranin për të siguruar fundin e luftës në vazhdim dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
Në një reagim të dytë në platformën sociale, “TruthSocial” Trump sulmoi drejtpërdrejtë Merzin duke thënë se ai duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje vendit të tij, i cili sipas presidentit amerikan, ka shumë probleme ende të pazgjidhura.
“Kancelari i Gjermanisë duhet të shpenzojë më shumë kohë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë/Ukrainën (ku ai ka qenë plotësisht joefektiv!), dhe për të rregulluar vendin e tij të shkatërruar, veçanërisht Imigracionin dhe Energjinë, dhe më pak kohë për të ndërhyrë në ata që po heqin qafe kërcënimin bërthamor të Iranit, duke e bërë kështu botën, përfshirë Gjermaninë, një vend më të sigurt! President DJT”, shkroi Trump.










