Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish pakënaqësi ndaj homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, duke deklaruar se nuk është admirues i madh i tij. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Finnerty” të Newsmax, të dhënë të enjten nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se Zelensky shprehet i gatshëm për një marrëveshje, por, sipas tij, nuk po ndërmerr hapat e nevojshëm për ta arritur atë.
Trump vlerësoi se negociatat me Zelenskyn janë më të vështira sesa ato me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas tij, armiqësia personale mes dy liderëve është një nga faktorët që e ndërlikon arritjen e një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kritika e tij u përqendrua edhe te rifillimi të enjten i sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të naftës. Dronët ukrainas goditën një rafineri në rajonin e Ryazanit, ku shpërtheu zjarr, ndërsa Kievi i kishte pezulluar për tre ditë sulmet ndaj rafinerive pas njoftimit të së dielës nga Trump për një armëpushim energjetik, ndonëse sulmet ruse ndaj energjetikës ukrainase kishin vazhduar. Trump tha se goditjet ndaj rafinerive po e rrisin çmimin botëror të naftës dhe se ka shumë objektiva të tjerë që mund të goditen.
Mes kritikave, presidenti amerikan u shfaq optimist se lufta duhet të përfundojë së shpejti dhe se, sipas tij, të dyja palët do të donin t’i jepnin fund asaj. Ai solli në vëmendje edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, duke vënë në dyshim nëse Zelensky gëzon mbështetjen e popullit. Ukraina ndodhet nën ligj ushtarak që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022, dhe sipas ligjit ukrainas kjo gjendje pengon mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare.
Deklaratat vijnë ndërsa Trump synon uljen e çmimeve të energjisë përpara zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit, edhe përmes marrëveshjes me Putinin për dizelin rus, një marrëveshje që është kritikuar nga Zelensky.











