Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar koalicionin VLEN për heshtje përballë asaj që e cilëson si rritje të ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut, ndërsa, sipas tyre, energjitë i përqendron në sulmet ndaj studentëve shqiptarë dhe kërkesave të tyre.
Në reagimin e saj, BDI rikujton se opinioni publik është përballur me pretendime serioze të ngritura nga opozita për lidhje të mundshme të një zëvendëskryeministri të Qeverisë me shërbimet serbe, ndërsa paralelisht në Kumanovë është organizuar një tubim në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku janë dëgjuar edhe thirrje kundër Kosovës.
“Dje opinioni publik u trondit nga pretendimet e bëra nga opozita se një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Sot pamë një tjetër pamje shqetësuese: tubim në Kumanovë në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit, i shoqëruar me thirrje kundër Kosovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se këto zhvillime nuk janë të izoluara, por ndodhin në një periudhë kur në qarqe evropiane janë ngritur shqetësime për orientimin strategjik të vendit.
“Këto zhvillime vijnë vetëm pak kohë pasi në debatet evropiane u ngritën shqetësime serioze se Maqedonia e Veriut po rrëshqet nën ndikimin e konceptit të ashtuquajtur ‘bota serbe’”, thekson BDI. Në këtë kontekst, integristët shtrojnë pyetjen se përse partnerët shqiptarë në qeveri nuk reagojnë ndaj këtyre çështjeve, duke i akuzuar ata se kanë zgjedhur të fokusohen te kritikat ndaj protestave studentore.
“Pyetja është: ku janë VLEN? Ndërsa hapen pyetje serioze për ndikime të huaja, për orientimin strategjik të shtetit dhe për cenimin e kursit euroatlantik, VLEN vazhdon të merret me studentët shqiptarë dhe me sulme ndaj zërit të rinisë shqiptare”, thuhet në reagim.
BDI numëron disa raste për të cilat, sipas saj, nuk ka pasur reagim nga partnerët shqiptarë në pushtet. “Kur organizohen tubime me thirrje kundër Kosovës – heshtje. Kur ngrihen dyshime për ndikime serbe në nivelet më të larta të pushtetit – heshtje. Kur cenohet orientimi politik i shtetit – përsëri heshtje”, shprehet partia.
Në fund të reagimit, BDI nënvizon rolin e shqiptarëve në përcaktimin e orientimit euroatlantik të shtetit dhe paralajmëron se mungesa e reagimit përballë këtyre zhvillimeve përbën një mesazh politik.
“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë dekor në këtë shtet. Shqiptarët kanë qenë garancia më e fortë e kursit pro-evropian dhe pro-NATO të Maqedonisë së Veriut”, thekson BDI. Sipas partisë së Ali Ahmetit, “heshtja sot nuk është neutralitet. Heshtja sot është pozicionim”, duke kërkuar që partitë shqiptare në pushtet të sqarojnë qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet e fundit dhe me orientimin strategjik të vendit.










