Turqia dhe Britania e Madhe nënshkruan të mërkurën një marrëveshje paraprake që i hap rrugë Ankarasë për të operuar avionët luftarakë të avancuar “Eurofighter Typhoon”, në një përpjekje për të forcuar mbrojtjen në një rajon gjithnjë e më të tensionuar. Marrëveshja u arrit gjatë një ceremonie në Stamboll, ku morën pjesë ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, dhe homologu i tij britanik, John Healey.
Ndërkohë, Gjermania ka dhënë miratimin për dorëzimin e 40 avionëve “Eurofighter”, pas aprovimit nga Këshilli Federal i Sigurisë – një hap kyç për realizimin e marrëveshjes, duke qenë se Gjermania është një nga shtetet prodhuese të këtij modeli së bashku me Britaninë, Italinë dhe Spanjën.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka intensifikuar përpjekjet për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse përmes kombinimit të zhvillimeve të brendshme teknologjike dhe blerjeve strategjike nga jashtë. Krahas “Eurofighter”-ëve, Ankaraja është gjithashtu në negociata me Shtetet e Bashkuara për të blerë 40 avionë luftarakë F-16.
Ministri Guler theksoi se kjo marrëveshje jo vetëm që do të rrisë fuqinë ajrore të Turqisë dhe të NATO-s, por do të thellojë më tej bashkëpunimin dypalësh me Britaninë në fushën e mbrojtjes.
As Ministria gjermane e Mbrojtjes, as Këshilli Federal i Sigurisë nuk kanë dhënë komente zyrtare për këtë vendim, megjithatë miratimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në një periudhë kur balanca e sigurisë në rajon është gjithnjë e më delikate.










