Trendy
Screenshot

Turqia dislokon gjashtë aeroplanë luftarakë F-16 e sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipron Veriore

Para 2 javë

Turqia dislokoi të hënën gjashtë aeroplanë luftarakë të tipit F-16 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipron Veriore për ta përforcuar sigurinë e komunitetit turk, tha Ministria e Mbrojtjes, duke u zotuar për masa të mëtejme, nëse është e nevojshme, për shkak të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.

Fuqitë evropianë kanë bërë hapa për t’i shtuar dislokimet ushtarake në ishullin e ndarë në vija etnike që nga dita kur një dron e goditi bazën ajrore britanike “Akrotiri” në Qipro javën e kaluar. Zyrtarët e sigurisë besojnë se droni ishte hedhur nga Hezbollahu, grup që përkrahet nga Irani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Në kontekstin e zhvillimeve të fundit në rajonin tonë, gjashtë aeroplanë luftarakë F-16 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore janë dislokuar në Republikën Turke të Qipros Veriore nga sot” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Si rezultat i vlerësimeve që do të bëhen varësisht nga zhvillimet, do të vazhdohet që të merren masa shtesë, nëse është e nevojshme” – thuhet më tej në deklaratë.

Turqia nuk e njeh administratën qipriote greke që njihet nga komuniteti ndërkombëtar dhe është anëtare e Bashkimit Evropian. Turqia është vendi i vetëm që e njeh shtetin qipriot turk, i cili e ka nën kontroll pjesën veriore të ishullit.

Nikos Christodoulides, president i Qipros greke, citohet të ketë thënë se këto zhvillime janë “reagim” nga Turqia ndaj deklaratave evropiane se siguria e ishullit është përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe e përshkroi Turqinë si “fuqi pushtuese” në Qipro.

Presidenti i Qipros Veriore, Tufan Erhurman, i kritikoi komentet e tij dhe tha se prioritet duhet të jetë garantimi i sigurisë së tërë ishullit për të dyja komunitetet qipriote.

Javën e kaluar, sistemet mbrojtëse të NATO-s rrëzuan një raketë balistike të lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke. Turqia e paralajmëroi Iranin të shtunën kundër hedhjes së raketave drejt saj./Nacionale

Trending