Turqia po përgatit një paketë radikale ligjore me të cilën synon t’i japë fund plotësisht shitjes së produkteve të duhanit deri në vitin 2040, në përpjekje për të ulur pirjen e duhanit dhe për të mbrojtur shëndetin publik, shkruan tetova1
Sipas projektligjit, të hartuar nga partia në pushtet dhe Ministria e Shëndetësisë, nga 1 janari 2040 do të ndalohet shitja e të gjitha produkteve të duhanit në vend.
Megjithatë, masat nuk do të hyjnë në fuqi menjëherë. Autoritetet turke planifikojnë një ashpërsim gradual të rregullave, përmes një sërë kufizimesh që do të zbatohen në vitet e ardhshme. Ndër to përfshihet ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në ambientet e hapura të restoranteve dhe kafeneve, si dhe krijimi i zonave të posaçme për duhanpirës, ku nuk do të lejohet konsumimi i ushqimit dhe pijeve.
Po ashtu, parashihet që blerja e cigareve të bëhet vetëm me karta bankare, për të mundësuar kontroll më të madh dhe gjurmim të konsumit, sidomos për të parandaluar shitjen tek të miturit.
Pas vitit 2040, të gjithë ata që do të merren me prodhimin, importin apo shitjen e duhanit do të përballen me gjoba të larta – nga një deri në pesë milionë lira turke, me shuma që do të përshtaten sipas inflacionit.
Të dhënat tregojnë se kjo masë vjen në një vend ku duhanpirja është e përhapur gjerësisht – rreth 28.3 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç, ose afro 19 milionë njerëz, përdorin rregullisht produkte të duhanit.
Me këtë plan ambicioz, Turqia pozicionohet si një nga shtetet e para të mëdha që paralajmëron hapur eliminimin e plotë të cigareve nga tregu, duke dhënë një mesazh të fortë se një e ardhme pa tym nuk është më vetëm ide, por një strategji konkrete./tetova1.mk/










