Gazetari Kushtrim Sadiku ka reaguar pas akuzave që qarkulluan në rrjete sociale, ku pretendohej se ai kishte udhëhequr një emision në gjendje të alkoolizuar. Përmes një postimi publik, Sadiku ka mohuar këto pretendime, duke sqaruar se gjendja e tij gjatë emisionit lidhej me probleme shëndetësore dhe trajtime mjekësore, përcjell tetova1
Sadiku ka kërkuar falje për situatën e krijuar, duke theksuar se ka qenë duke u përballur me dhimbje dhe lodhje si pasojë e një sëmundjeje të lukthit dhe ndërhyrjeve dentare, të cilat i kanë vështirësuar komunikimin.
Sadiku gjithashtu ka theksuar përkushtimin e tij shumëvjeçar në profesion, duke nënvizuar se për 17 vite nuk ka munguar asnjëherë në emision, pavarësisht vështirësive personale.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar ashpër edhe komentet dhe sulmet në rrjete sociale, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të nxitura nga grupe të ndryshme me motive të caktuara.
Postimi i plotë:
“Të nderuar miq, fillimisht më lejoni të kerkoj falje për situatën e krijuar gjatë debatit të së enjtes.
Terapia që jam duke e marr në drejtimin e një sëmundjeje të lukthit, problem të cilin e kam për disa vite rresht dhe trajtimi i implanteve dentare ma kanë vështirësuar mënyrën e komunikimit. Kjo më ka shkaktuar dhimbje dhe lodhje njëkohësisht, kombinim që nuk do t’ia dëshiroja askujt.
Gjithçka tjetër që po përflitet nëpër rrjete sociale nuk është e vërtetë.
Edhe në një situatë të vështirësuar, jam përpjekur të mos e le emisionin pa e realizuar, siç kam bërë për 17 vjet rresht në TV, pa e humbur asnjë të vetëm, pavarësisht situatave të sëmundjeve apo vështirësive të ndryshme. Por, ja që në këtë rast doli një vlerësim jo i duhur.
Është njerëzore të gabohet dhe unë s’jam përjashtim.
Dua të nënvizoj respektin dhe peshën e madhe që Kosharja e ka për mua, fillimisht si një njeri i këtij vendi e pastaj edhe si gazetar. Kam realizuar dhjetëra emisione për Kosharen dhe jam shumë krenar për të gjitha ato.
Edhe një herë, shpreh keqardhje të thellë për këtë situatë të krijuar. E kuptoj kritiken dhe e vlerësoj mbështetjen tuaj. Nuk e mirëkuptoj stuhinë e llumit, por s’kam se si mos ta shoh që ajo ekziston, e drejtuar nga grupe te ndryshme ekstremistësh, grupe me motivacione politike, snajperistësh të rrjeteve sociale e dashakeqinjëve.
Insistoj se do të përpiqem maksimalisht të jem në krye të detyrës si autor i emisionit
Shihemi pas pak ne Politiko!”, përfundon Sadiku./Tetova1.mk










