Eni Kokomani është një nga shqiptarët i cili pas disa vitesh ka vendosur të kthehet në Shqipëri nga Irani pas nisjes së luftës. I ftuar në emisionin “Review” të Greta Topjana në Euronews Albania ka zbuluar detaje sesi arriti të largohej nga Irani dhe sesi paraqitej situata e sigurisë në momentet kur ai ndodhej në Kumit, ku jetonte prej vitesh.
Ai theksoi se nga Irani është larguar përmes kufirit në Turqi. Kokomani shtoi se u largua për arsye sigurie pasi nuk dihej se ku do të kishte sulme teksa theksoi se ditën e parë u sulmua një shkollë fillore.
Sipas tij ky sulm tregonte se bombat mund të binin kudo dhe mund të vriteshin civilë. Sa i përket shqiptarëve të tjerë, ai tha se disa janë kthyer ndërsa ata janë mirë. Sipas tij ka edhe shqiptarë të cilët kanë krijuar familje në Iran dhe se nuk mund të kthehen.
“Është mjaft e thjeshtë. Thjesht të duhet vullneti për t’u kthyer në Shqipëri dhe kthehesh. Po nga Irani në kufirin perëndim pra ka një kufir me Turqinë. E kalon kufirin tokësor dhe pastaj mund të vazhdosh rrugë tokësore ose ajërore nga Turqia për në Shqipëri.
Tani për sa i përket sigurisë nuk i dihet se ku do bien bombat. Tani ato që ditën e parë sulmuan një shkollë për vajza, një shkollë fillore pra kështu që në rast se kanë sulmuar një shkollë fillore me vajza atëherë bombat mund të bien kudo.
Atëherë informacion sigurie i ri apo i vjetër ato kanë sulmuar shkollë pra është një fakt i pamohueshëm dhe është bërë nga kush nga dy persona ku njëri ka marrë pjesë në dosjet të pedofilisë tek Epstein, pra si Trump që mund ta themi është një djalë i pasur bullizues i cili ka në dorë një armë të fuqishme dhe nga ana tjetër një kriminel lufte si Netanjahu.
Pra këta njerëz bëjnë bombardime në Iran dhe përveç objektivave ushtarake kanë sulmuar dhe objektiva civilë. Pra ky është një fakt dhe duke qenë në një situatë të tillë, ekzistonte dhe mundësia të sulmohej çdonjë nga civilet që ndodhen në Iran.
Po pavarësisht, jeta vazhdon normalisht si si gjithmonë. Kam thënë edhe më parë jetoj në qytetin e Kumit. Po mbi të gjitha për arsye sigurie normalisht sepse nuk dihej sesi do të vijonte ngjarja përpara se të përkeqësohej më shumë dhe se të mbylleshin te kufinjtë tokësor ne vendosëm që të ktheheshim.
Tani janë të gjithë mirë, nuk rrezikohen. Jo të gjithë janë kthyer, disa kanë mbetur pasi kanë familje iraniane edhe nuk mund të kthehen”, tha ai.










