Berhan Simsek ka njoftuar dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Partisë Republikane Popullore (CHP) dhe nga Komiteti Qendror Ekzekutiv i partisë, pas publikimit në rrjetet sociale të videove ku ai duket se ushtron dhunë ndaj ish-partneres së tij.
Në pamjet e publikuara, Simsek shihet në kopshtin e një banese duke e goditur me shqelm në këmbë gruan e identifikuar si Sanver, ndërsa ajo dëgjohet duke bërtitur: “Më lini rehat”.
Pas publikimit të pamjeve, Simsek i mohoi akuzat ndaj tij dhe njoftoi se do të largohej nga funksionet drejtuese në CHP deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Ai sqaroi se dorëheqja përfshin postin e nënkryetarit dhe anëtarësinë në Komitetin Qendror Ekzekutiv, por jo largimin nga partia. Simsek deklaroi se do të vazhdojë të jetë anëtar i CHP-së.
Çështja pritet tashmë të trajtohet në rrugë ligjore, ndërsa Simsek kundërshton akuzat e ngritura ndaj tij.











