Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar, duke u renditur si universiteti më i vlerësuar nga Maqedonia e Veriut në Times Higher Education Impact Rankings 2025, një nga rangimet më të rëndësishme globale që vlerëson kontributin e universiteteve ndaj Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Rezultati më i rëndësishëm i UEJL-së në këtë rangim është arritur në kategorinë SDG 4 – Cilësia në Arsim, ku universiteti është renditur në grupin 401–600 të universiteteve më të mira në botë. Në këtë kategori, Times Higher Education vlerëson qasjen në arsim cilësor, përfshirjen sociale, mbështetjen për studentët, edukimin gjatë gjithë jetës dhe ndikimin e universitetit në sistemin arsimor.
Ky pozicionim e bën UEJL-në universitetin më të vlerësuar nga Maqedonia e Veriut dhe universitetin shqiptar me renditjen më të lartë në rajon në këtë kategori.
UEJL ka shënuar rezultate të rëndësishme edhe në kategori të tjera të zhvillimit të qëndrueshëm, përfshirë barazinë gjinore, reduktimin e pabarazive, veprimin klimatik, paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta.
Këto rezultate janë pjesë e metodologjisë së Times Higher Education Impact Rankings, e cila vlerëson universitetet jo vetëm përmes publikimeve shkencore, por edhe përmes ndikimit të tyre në komunitet, mbështetjes për studentët, gjithëpërfshirjes dhe kontributit ndaj 17 Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. Në këtë kontekst, pozicionimi i UEJL-së dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të universitetit ndaj arsimit cilësor, përgjegjësisë shoqërore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke konfirmuar rolin e tij si institucion që e lidh misionin akademik me ndikimin real në shoqëri dhe komunitet.
Rëndësia e këtij rezultati bëhet edhe më e madhe duke pasur parasysh rritjen e konkurrencës globale. Në edicionin e vitit 2025 të këtij rangimi janë përfshirë 2,526 universitete nga 130 vende dhe territore, krahasuar me 2,152 universitete nga 125 vende në vitin 2024.
Përkushtimi i UEJL-së ndaj Agjendës 2030 dhe Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm dëshmohet edhe përmes përfshirjes së universitetit në Koalicionin Universitar SustainED, një iniciativë e promovuar nga Zyra e Koordinatorit Rezident të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut. Ky koalicion synon të forcojë rolin e universiteteve në zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm përmes arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit, angazhimit studentor dhe bashkëpunimit me komunitetin.
Pjesëmarrja e UEJL-së në këtë platformë, së bashku me rezultatet e arritura në Times Higher Education Impact Rankings 2025, konfirmon orientimin strategjik të universitetit drejt arsimit cilësor, zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
LINKU









