Trendy

Uji që pinë fëmijët e Likovës është helmues – Kandidati i VLEN bën thirrje për masat urgjente!

Para 6 muaj

Kandidati i VLEN për komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, përmes rrjetit social Facebook ka denoncuar se uji në fshatrat Llojan dhe Vaksincë është i helmuar me arsen.

“Analizat e kryera në Institutin e Shëndetit Publik treguan një rezultat tronditës: 47.73 µg/L arsen në ujë në Shkollën Fillore ‘Rilindja’ dhe 31.36 µg/L arsen nga një pus në fshatin Llojan, shumë herë mbi standardin ndërkombëtar (10 µg/L). Arseni është një substancë jashtëzakonisht toksike. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij shkakton: Kancer të mushkërive, lëkurës, veshkave dhe fshikëzës, Sëmundje të zemrës dhe hipertension, Diabet dhe çrregullime neurologjike, Vonesa në zhvillimin e fëmijëve. Kjo do të thotë se fëmijët, të rinjtë dhe banorët e kësaj ane çdo ditë po rrezikojnë jetën e tyre nga uji që pijnë. Nuk ka asgjë më të shtrenjtë se shëndeti dhe jeta. Prandaj, ky problem nuk mund të neglizhohet më.”, ka shkruar Sadiku, i cili premton se, me marrjen e mandatit, do të ndërmerren masa konkrete: “Pastrimin e tokës nga arseni, sigurimin e ujit të pijshëm sipas standardeve ndërkombëtare dhe kontroll të rregullt dhe transparent të ujit nga institucionet kompetente.”

Ai bën thirrje për banorët: “Banorë të Llojanit, Vaksincës dhe gjithë Likovës, kjo është koha të zgjedhim mes ujit të pastër dhe jetës me dinjitet ose helmimit të përditshëm dhe rrezikimit të shëndetit tonë. Së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë.”

Trending