Trendy

UNICEF ngre alarmin për Gazën: Nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike te fëmijët

Para 37 minuta

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka evidentuar nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike në një studim të ri mbi gjendjen ushqimore të popullsisë, të zhvilluar në zonat e aksesueshme të Rripit të Gazës, pavarësisht se ka konstatuar nivele “relativisht të ulëta” të kequshqyerjes akute.

Studimi u krye nga 31 maji deri më 15 qershor, pas “një zgjerimi të konsiderueshëm të ndihmës humanitare pas armëpushimit të tetorit 2025”, bëri të ditur agjencia e ndihmës.

“Rreth 17 për qind e popullsisë së Gazës, afërsisht 358 mijë njerëz, u përjashtuan nga kuadri i kampionimit përpara përzgjedhjes së zonave, për shkak të kufizimeve të aksesit dhe sigurisë”, tha UNICEF.

Studimi evidentoi “një situatë komplekse ushqimore”, me “nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike (stanjacion në rritje), kequshqyerje të nënave, cilësi shumë të dobët të ushqyerjes, praktika jo optimale të ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, si dhe një barrë të konsiderueshme të sëmundjeve te fëmijët”.

“Ushqyerja e fëmijëve përmirësohet kur ndihmat dhe furnizimet tregtare arrijnë tek ata”, tha drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder. “Kequshqyerja akute mund të përmirësohet brenda disa javësh. Dëmi më i gjerë nuk mund të përmirësohet kaq shpejt”, tha Beigbeder. “Fëmijët kanë nevojë për ujë të sigurt, kujdes shëndetësor dhe ushqime të larmishme e ushqyese – jo vetëm për kalori të mjaftueshme për të mbijetuar.”

Trending