Mbikëqyrja e jashtëzakonshme në Gjykatë konstatoi një sërë lëshimesh nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, anëtarët e Këshillit Penal në Gjykatën e Gostivarit, lëshime në shërbimin postar të stacionit policor në Gostivar, si dhe shtyrje mjekësore të kontestuara, lidhur me arratisjen e Remzi Miftarit, i cili në vend që ta vuante dënimin me burg prej 10 vitesh për tragjedinë në Llaskarcë, u largua nga shteti duke e shtyrë vuajtjen e dënimit me arsyetimin se do t’i nënshtrohej një operacioni në testikuj, transmeton Portalb.mk.
Siç raporton Sllobpden Peçat, Këshilli Gjyqësor, me nëntë vota “pro” dhe dy “kundër” nga anëtarët Isamedin Limani dhe Hanif Zendeli, e miratoi raportin në të cilin komisioni konstatoi se gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve dhe anëtarët e Këshillit Penal kanë bërë lëshime në këtë lëndë dhe propozoi që të parashtrohet kërkesë për përcaktimin e përgjegjësisë për këta gjykatës.
Këshilli gjithashtu miratoi përfundim që raporti i komisionit t’i dërgohet MPB-së për dështimin e shërbimit postar të Stacionit Policor në Gostivar, si dhe të kërkohet informim lidhur me veprimet e mjekëve.
Gjykatësja Xheneta Bektoviq, e cila së bashku me gjykatësit Ariton Alla dhe Danka Ristova realizoi inspektim në lëndën e Gjykatës Themelore të Gostivarit, informoi se komisioni ka konstatuar se nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, Tiho Mihajllovski, më 14 maj 2025 është lëshuar akt udhëzues për ekzekutimin e dënimit me burg ndaj të dënuarit Remzi Miftari në “Idrizovë – Burgu Shkup”, për dënim me burg në kohëzgjatje prej dhjetë vitesh për veprën penale vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup të datës 17 prill 2025.
Komisioni ka konstatuar se në fakt për ditë të tëra nuk është lëshuar urdhër për arrestim dhe pasi është lëshuar, për ditë të tëra ka udhëtuar deri në stacionin policor.
“Komisioni vlerëson se janë bërë lëshime si nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve ashtu edhe nga anëtarët e Këshillit Penal, konkretisht në veprimin e gjykatësit për ekzekutimin e sanksioneve, i cili, pasi ka pranuar njoftimin nga Burgu “Idrizovë” më 11 qershor 2025, ka lëshuar urdhër për shoqërim të detyrueshëm më 19 qershor 2025. Afati ligjor është 24 orë nga pranimi i njoftimit, ndërsa gjykatësi e ka lëshuar urdhrin pas tetë ditësh. Këtu është tejkaluar afati ligjor. Po ashtu, urdhri është pranuar nga SP Gostivar më 24 qershor 2025. Gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve kishte obligim që menjëherë pas pranimit të njoftimit të lëshonte urdhër për shoqërim të detyrueshëm dhe po atë ditë, në mënyrë elektronike, ta njoftonte SP Gostivar. Edhe këtu janë shkelur afatet, si nga shërbimi i dorëzimit nëse ka pasur lëshime, ashtu edhe nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve për lëndë të tilla”, deklaroi Bektoviq.
Për shkak të këtyre lëshimeve, komisioni vlerëson se si gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve ashtu edhe anëtarët e Këshillit Penal kanë bërë lëshime dhe duhet të parashtrohet kërkesë për përcaktimin e përgjegjësisë për këta gjykatës.
Urdhri i lëshuar për shoqërim të detyrueshëm më 19 qershor 2025 nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve nuk është dorëzuar me kohë në SP Gostivar, përkatësisht është dorëzuar pesë ditë pas përpilimit të tij, ndërsa nuk ka dëshmi pse ka ndodhur kjo. Vlerësohet se ka dështuar shërbimi i dorëzimit në Gjykatën Themelore të Gostivarit, por edhe se për një lëndë kaq urgjente urdhri duhej të dërgohej në SP Gostivar edhe përmes postës elektronike.
“Mendoj se edhe gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve ka bërë lëshime, pasi ka toleruar një periudhë kaq të gjatë pa reaguar dhe pa kontrolluar pse urdhri për shoqërim nuk ka mbërritur me kohë në SP Gostivar. Mendoj se kjo është gjithashtu lëshim i tij”, deklaroi Bektoviq.
Komisioni gjithashtu vlerëson se lidhur me refuzimin e kërkesës së tretë për shtyrje nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, pas ankesës së paraqitur nga i dënuari, Këshilli Penal e ka ndryshuar vendimin dhe ka shtyrë fillimin e ekzekutimit të dënimit me burg për dy muaj.
“Komisioni konstaton se nuk ka dëshmi, as letër-lëshim spitalor, që Remzi Miftari nga 1 gusht 2025 deri më 1 tetor 2025 të ketë qenë fare në trajtim spitalor. Këshilli Penal e ka marrë vendimin për shtyrje më 1 gusht 2025 dhe i dënuari duhej të paraqitej në “Idrizovë” më 1 tetor 2025, por nga dokumentet rezulton se i dënuari ka qenë në trajtim nga 25 qershori deri më 15 korrik 2025, nga 3 deri më 7 tetor 2025 dhe nga 17 deri më 29 tetor 2025. Nga kjo del se i dënuari nuk ka qenë në trajtim spitalor në periudhën nga 15 korriku 2025 deri më 2 tetor 2025, por në këtë periudhë i janë kryer vetëm ekzaminime mjekësore. Në këtë mënyrë ka ardhur deri te shtyrja e pajustifikuar e fillimit të ekzekutimit të dënimit me burg dhe pengimi i procedurës përmes arratisjes së të dënuarit”, deklaroi Bektoviq.
Sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve, procedura për dërgimin e personave të dënuar në vuajtje të dënimit me burg është urgjente dhe institucioni korrektues ka obligim që menjëherë, e më së voni brenda tre ditësh, ta njoftojë gjykatësin nëse i dënuari nuk paraqitet, ndërsa gjykatësi është i obliguar që më së voni brenda 24 orësh nga pranimi i njoftimit të lëshojë urdhër për MPB-në për arrestimin e personit të dënuar.
Rasti u vu në fokus të opinionit pasi Remzi Miftari, përgjegjësi për transport në “Durmo Turs”, i dënuar me 10 vjet burg, e shtynte vuajtjen e dënimit për shkak të një operacioni për hernie në testikuj, pas së cilës nuk u paraqit në “Idrizovë” për vuajtjen e dënimit dhe ndaj tij në fund të vitit të kaluar u shpall fletarrest.
Në janar 2023, Gjykata Themelore Penale Shkup i shpalli fajtorë të akuzuarit dhe shqiptoi gjithsej 39 vite dënime me burg. Në maj 2025, Gjykata e Apelit Shkup ua rriti dënimet me burg. Pronarit të “Durmo Turs”, Durmish Beluli, nga katër në 10 vjet, përgjegjësit për transport, Remzi Miftari, nga gjashtë në 10 vjet; ndërsa dy të punësuarve në kontrollin teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski nga pesë në shtatë vjet. Dënimi i shoferit Manoil Trifunovski mbeti 14 vjet, ndërsa i punonjësit të tretë të kontrollit teknik, Jane Bovarovski, mbeti pesë vjet.
Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën por shpëtuan. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.










