Trendy

Uzairi: Me Taravarin shpesh nuk kemi qenë dakord, rruga ime në ASH përfundon

Para 2 orë

Ish-sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, pas kuvendit të sotëm është ndër të parët që ka reflektuar për të hapur rrugë gjeneratës së re brenda ASH-së. Në një postim të tij, Uzairi falenderon kryetarin Arben Taravari, duke theksuar se besimi dhe respekti reciprok nuk është luhatur kurrë, përcjell tetova1

Uzairi i drejtoi një falenderim të veçantë edhe aktivistëve dhe simpatizantëve të ASH-së për përkushtimin dhe për çdo hap që kanë bërë së bashku.

Postimi i plotë:

“Të nderuar anëtarë, aktivistë dhe qytetarë,

Sot ndihem i detyruar të flas për një moment vendimtar dhe emocional në jetën time.

Me përgjegjësi dhe respekt për çdo hap që kam bërë, dua ta ndaj me ju qëndrimin tim, të cilin e shpreha në Kuvendin e Aleancës për Shqiptarët. Gjatë gjithë rrugëtimit tim, gjithmonë jam udhëhequr nga ideali dhe bindja se çdo veprim dhe vendim duhet të shërbejë për kauzën dhe për mirëqenien e popullit tonë. Ky vendim shënon një pikë reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugëtimin tonë së bashku.

Aleanca për Shqiptarët lindi si një nevojë e kohës, nga idealistë dhe njerëz që besonin se shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar denjësisht. Ajo u ngrit në kohë të vështira, me guxim dhe vendosmëri, dhe u bë shtëpi e shpresës për ata që besuan në ndryshim dhe drejtësi.

Shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur me respekt të gjithë bashkëudhëtarët e mi dhe ata që ngritën këtë lëvizje, duke i dhënë shpirt dhe energji çdo ditë. Në të njëjtën kohë, me sinqeritet, kërkoj falje për çdo gabim apo dhimbje që mund të kem shkaktuar gjatë rrugëtimit tim në Aleancë.

Një falënderim i veçantë shkon për mikun dhe shokun tim, Arben Taravari. Edhe pse shpesh nuk kemi qenë dakord për vendime të caktuara, besimi dhe respekti reciprok nuk është luhatur kurrë.

Dua t’u drejtohem veçanërisht aktivistëve dhe simpatizantëve: ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, për përkushtimin dhe për çdo hap që kemi bërë së bashku. Rruga ime në Aleancë përfundon këtu, por shpirti dhe zemra ime do të mbeten gjithmonë pjesë e kësaj lëvizjeje, me respekt dhe mirënjohje për gjithçka që kemi ndarë bashkë.”, përfundon Uzairi/tetova1.mk

Trending