Valutat digjitale të bankave qendrore (CBDC) po përgatiten për t’u futur në përdorim në Evropë dhe më gjerë, duke sjellë ndryshime rrënjësore në sistemin financiar dhe mënyrën se si qytetarët menaxhojnë paratë e tyre.
Pak të njohura për publikun, por gjerësisht ndër temat më të përfolura nga ekspertët e ekonomisë në muajt e fundit, ato mund të sjellin jo vetëm ndryshimin rrënjësor të konceptit të valutës, por mund të ngrenë edhe shqetësime lidhur me kontrollin e parave.
Shkurtimisht të shpjeguara, CBDC janë forma digjitale të valutës së një vendi, të emetuara dhe të rregulluara nga banka e tij qendrore dhe vlera e tyre është fikse nga qeveria.
Ndryshe nga kriptovalutat, të cilat janë të decentralizuara dhe të paqëndrueshme, CBDC-të synojnë të ofrojnë stabilitet dhe mbështeten nga qeveria. Me rritjen e teknologjive inovative si kriptovaluta dhe blockchain, ideja e shoqërive pa para në dorë ka fituar terren.
Lidhur me këtë fenomen të kohëve të fundit, Albanian Post pati një bisedë me Flogerta Lesin, njohëse e fushës dhe specialiste e përmbajtjeve, e cila ka shpjeguar në detaje frymën dhe rrezikun që mund të lindë prej tyre.
Ajo fillimisht bën një paralelizëm mes historisë së Kublai Khan dhe kontrollit absolut të shtetit mbi ekonominë, si dhe sfidave që qytetarët mund të përballen me monedhat digjitale moderne.
“Historia na mëson se kur shteti merr kontrollin e parasë, ai merr sovranitetin që i takon popullit. Kublai Khan krijoi para letre në perandorinë e tij dhe shfrytëzoi fuqinë e kësaj monedhe për të imponuar kontroll të plotë mbi tregtinë dhe jetën e njerëzve. Fillimisht solli prosperitet, por më pas inflacioni i shfrenuar dhe kontrollet e ashpra rrënuan ekonominë dhe besimin e qytetarëve. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe sot me CBDC-të”, përmend Lesi për AP-në.
Ndaj mbështetur mbi këtë, sipas saj, monedhat digjitale të bankave qendrore nuk janë thjesht një inovacion teknologjik, por një instrument i fuqishëm kontrolli.
Ato mund të lejojnë qeveritë të:
Bllokojnë fondet e qytetarëve pa paralajmërim.
Vendosin afate skadimi për kursimet.
Kufizojnë shpenzimet për kategori të caktuara, përfshirë udhëtimet ose kriptovalutat.
Ndërpresin transaksione të caktuara dhe aplikojnë limite për emetimin e karbonit.
Marrin automatikisht para nga llogaritë për borxhe, gjoba apo taksa.
Monitorojnë çdo lëvizje financiare, duke eliminuar privatësinë.
Kështu, duke e lënë aspektin e ‘gjurmimit të thjeshtë të një transaksioni’ në hije dhe duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si shteti, mundet deri të kontrollojë portofolin virtual të qytetarëve.
Lesi thekson se Evropa është në prag të hedhjes në treg të CBDC-ve, me euron digjitale që pritet të aktivizohet në tetor, dhe shumë vende të tjera tashmë po eksperimentojnë me monedha të ngjashme.
“Nëse nuk veprojmë tani për të siguruar pasuritë dhe aftësitë për të fituar para në mënyra alternative, shumë qytetarë mund të gjenden nën një kontroll financiar absolut, të pakrahasueshëm me çdo periudhë historike”, paralajmëron ajo.
Shembullin evropian, sipas Lesit, mund ta shumë shpejt edhe vende të tjera. Brazili, Australia, Arabia Saudite, India, Rusia, Afrika e Jugut dhe 38 vende të tjera janë tashmë në fazën pilot të zhvillimit të monedhës së tyre digjitale. E njëjta gjë vlen edhe për disa vende të BE-së që nuk përdorin euron.
Teksa mbetet edhe shumë skeptike për Ballkanin Perëndimor, duke sjellë në vëmendje aspektin e abuzimeve të shumta që janë regjistruar ndër vite me fondet publike dhe nëse kontrolli i valutës i shtohet ekskluzivitetit të shtetit, atëherë gjërat “mund të marrin për poshtë”.
“Nuk mund t’u besojmë atyre (qeverive, red.) prosperitetin ekonomik të kombeve tona. Megjithatë, po këtyre njerëzve, të cilëve nuk u besohet as fjala që thonë, së shpejti do t’u jepet fuqi e pakufizuar mbi sistemin financiar, duke e manipuluar dhe abuzuar atë sipas dëshirës së tyre”.
Në fund, ajo sugjeron që qytetarët të krijojnë një plan rezervë të fortë, duke përfshirë pasuri jashtë sistemit financiar, si ari, argjendi ose kriptovaluta.
Teksa, skepticizmit, i duhet dhënë përgjigje përmes strukturave të posaçme dhe garantimit të parandalimit të një abuzimi të tillë të mundshëm në vend.
Edhe pse debati në Shqipëri është tejet i vakët dhe jo shumë i zëshëm lidhur me këtë temë, shumë shpejt koha mund të vijë kur qytetarëve, mund t’u duhet të kujdesen për portofolat e tyre më shumë seç e mendojnë.





