Trendy

Vardari del nga shtrati, bllokohet rruga Gostivar–Çegran, ridrejtohet trafiku, borë në disa pika kufitare

Para 17 orë

Për shkak të daljes së lumit Vardar nga shtrati, që nga mbrëmja e djeshme është vendosur ndalesë për qarkullim në rrugën rajonale R2-233 Gostivar – fshati Çegran, në segmentin pranë fshatit Forinë. Qarkullimi po devijohet nga fshati Çajlë e Vjetër drejt fshatit Forinë, përcjell tetova1

Rruga për në fshatin German është e bllokuar pranë fshatit Stançë për shkak të një peme të rrëzuar dhe aktualisht nuk është e kalueshme, njofton Auto Moto Lidhja e Maqedonisë në raportin e mëngjesit për gjendjen e rrugëve.

Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet në korsi të lagështa. Reshje të dobëta bore ka në aksin Kriva Pallankë – pika kufitare Deve Bair, në pikën kufitare Dellçevë, në Stracin dhe në Ponikvë, por për momentin nuk paraqesin pengesë për zhvillimin e trafikut.

Intensiteti i qarkullimit në akset jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Nga Auto Moto Lidhja e Maqedonisë rekomandohet shpejtësi e përshtatur, respektim i sinjalizimit rrugor dhe drejtim i kujdesshëm i automjeteve, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër gryka, lugina lumenjsh dhe ngushtica, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve. Kjo vlen sidomos për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Në fuqi mbetet obligimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete./tetova1.mk

Trending