Irani ka zgjedhur një lider të ri suprem. Mojtaba Khamenei, djali i ish-udhëheqësit Ali Khamenei, është emëruar zyrtarisht në krye të Republikës Islamike të Iranit nga Asambleja e Ekspertëve.
Emërimi vjen pas vdekjes së Ali Khameneit, i cili sipas raportimeve u vra gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, në kulmin e përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, është një klerik shiit që prej vitesh konsiderohej figurë shumë e fuqishme prapa skenës në politikën iraniane dhe ka lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare Islamike. 
Edhe pse nuk ka mbajtur poste të larta shtetërore më parë, ai shihej prej kohësh si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar babanë e tij. Emërimi i tij konsiderohet i diskutueshëm, pasi disa kritikë thonë se krijon një lloj trashëgimie familjare në pushtet, diçka që Irani e kishte kundërshtuar pas revolucionit islamik të vitit 1979.
Me këtë vendim, Mojtaba Khamenei bëhet lideri i tretë suprem i Iranit, një post që ka autoritetin më të madh në vend mbi ushtrinë, politikën dhe institucionet fetare.










