Një front i gjerë opozitar pro-BE, ku do të përfshihej edhe Ali Ahmeti dhe BDI-ja, sipas informacioneve jozyrtare të TV 24, i është ofruar liderit të integristëve nga kryeopozitari Venko Filipçe në një takim në Reçicë të Vogël, një ditë para takimit të liderëve ku nikoqir ishte kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell tetova1
Sipas informacioneve jozyrtare, takimi u kërkua nga vet Venko Filipçe dhe u zhvillua disa orë para se mbahej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm i BDI-së nëse do të vendoseshte që Ali Ahmeti të merrte pjesë në takimin e liderëve me Hristijan Mickoskin.
Nuk ka detaje nëse në ofertën e Filipçes përfshihet edhe kërkesa që Ahmeti t’i bashkohej bojkotit të takimit liderëve. TV 24 kërkoi sqarim nga kryeopozitari për çfarë diskutoi me Ahmetin dhe pse takimi nuk u bë publik, por Filipçe e konfirmoi vetëm takimin, pa zbuluar detaje.
Venko Filipçe (LSDM): “Takimi u zhvillua, por nuk do të komentoj për detajet.”
Një zyrtar i lartë i BDI-së konfirmoi për TV 24 se partia e parë opozitare pas ndarjes me BDI-në, në zgjedhjet lokale, ku Filipce mbështeti joformalisht VLEN-in në disa komuna të caktuara, përveç ku ai mbështeti hapur kandidatin e Arben Taravrit i cili është pjesë e koalicionit të Ahmetit, po përpiqet të rregulloj marrëdhëniet me BDI-në. Ai konfirmon se Filipçe i ofroi bashkëpunim Ali Ahmetit në frontin pro-BE.
Para mbledhjes së këshillit të përgjithshëm, kryetari Ali Ahmeti u takua me Kryetarin e LSDM-së, Venko Filipce, me kërkesë të tij. Në takim, Filipçe i ofroi kryetarit bashkëpunim në një “front opozitar evropian”, tha zyrtari i lartë i BDI-së për TV 24./tetova1









