Trendy

Verë e nxehtë, helmime në rritje – Kujdes me bulmetin dhe mishin!

Para 6 muaj

Gjatë ditëve me temperatura të larta, rreziku për helmime nga ushqimet rritet ndjeshëm për shkak të prishjes më të shpejtë të produkteve ushqimore, sidomos tek produktet e bulmetit dhe të mishit. Nutricionistët paralajmërojnë se gjatë ditëve të nxehta këto produkte duhet të ruhen në temperatura nën 5 gradë Celsius, pasi helmimet ndikojnë më rëndë tek fëmijët dhe të moshuarit.

“Gjatë stinës së verës më shumë rrezikohemi nga ushqimet që prishen më shpejtë, pra nga bulmeti, nga mishi, nga vezët. Është mirë që këto lloj produkte të mbahen në frigorifer d.m.th të mos ekspozohen jashtë. D.m.th mund të krijohen salmonela, mund të krijohet eshiriakoli, pra mund të sjellin helmime të ndryshme nga bakteret e ndryshme, pasi gjatë kësaj periudhe edhe prodhimi i baktereve është më i madh”, tha Arlinda Memedi, specialiste e fitoterapisë dhe nutricioniste.

Qytetarët tregojnë se në këto ditë përvëluese konsumojnë më shumë lëngje dhe ushqehen me ushqime më të lehta.

“Unë personalisht kujdesem për ushqimin dhe në gjithçka tjetër, në verë respektoj masat për më shumë lëngje, ushqim më të lehtë, mish dhe kësi gjërash nuk përdori, kështu që nuk e kam problem me këto temperatura”, tha një qytetare.

“Kemi kujdes as sa mundemi … me ushqim sa më të lehtë”, tha një qytetar.

“Më shumë lëngje, më shumë pemë kështu”, shtoi një tjetër qytetar.

“Çka mund të hash ha, çka nuk mundesh nuk ha. Për sheqerin patjetër duhet të kesh kujdes”, theksoi një qytetar.

Sipas nutricionistëve, gjatë periudhave me temperatura shumë të larta duhet të konsumohen 2.5 deri në 3 litra ujë në ditë dhe rekomandohet rritja e konsumit të pemëve dhe perimeve të stinës.

/Alsat.mk/

Trending