Një rast i rëndë është raportuar në varrezat e qytetit të Pejës, ku persona ende të panjohur kanë dëmtuar një varr dhe kanë marrë një pjesë të tij të punuar nga bronzi.
Ngjarja është evidentuar gjatë ditës së 9 prillit në rrugën “Muharrem Mitrovica”, ndërsa rasti është raportuar nga ankuesi K. Gj (50 vjeç).
Siç mëson Sinjali, i njëjti ka deklaruar se kishte shkuar për të vizituar varrin e prindit të tij, ku ka vërejtur se varri ishte dëmtuar dhe mungonte një pjesë e skalitur në formë libri, e punuar nga materiali i bronzit.
Sipas ankuesit, për herë të fundit kishte qenë te varri më 20 mars 2026, kur gjithçka ishte në rregull, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet rreth 2500 euro. Dëshmitari, mirëmbajtësi i varrezave, ka deklaruar se një javë më parë kishte qenë në atë lokacion dhe nuk kishte vërejtur ndonjë dëmtim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e krim-teknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe dokumentimin e provave.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa hetimet janë në vazhdim për identifikimin e të dyshuarve.










