VLEN me akuza të drejtpërdrejta për lidhjen mes personave që përdhosën flamurin shtetëror me Artan Grubin e BDI-së. Arben Fetai nga koalicioni VLEN, tha se festa e 28 Nëntorit, u shfrytëzua nga BDI për polarizim dhe destabilizim, ndërsa të rinjtë u keqpërdorën siç tha ai, si “mish për top” me qëllim shmangien e drejtësisë. Ai shpalosi edhe disa fotografi ku, siç tha, dëshmohet lidhja mes të rinjve të përfshirë në incidente, me pjesëtarë të BDI-së.
“Ne kemi siguruar edhe fotografi që dëshmojnë se ata të rinj që dogjën flamurin shtetëror janë bashkëpunëtorët e afërt të Artan Grubit, magnatit të kazinove. Ja pra një fotografi e njërit nga personat, e rinj, që fatkeqësisht u përdorën nga Artan Grubi, për të shkaktuar destabilizim dhe tension mes komuniteteve, e shihni këtu në shtab të BDI-së. Fotoja tjetër poashtu, në shtab të BDI-së, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, ku e shihni autorin e djegies së flamurit shtetëror përkrah Ilaz Leskovicës, këshilltarë I BDI-së në komunën e Shutkës“, tha Arben Fetai, VLEN.
BDI hedh poshtë këto akuza, duke i cilësuar ato sit ë rreme dhe manipulative, me qëllim siç thonë nga atje, mbulimin e dështimeve dhe politikave diskriminuese.
“BDI nuk ka asnjë lidhje me organizimin e incidenteve. Çdo deklaratë apo akuzë në këtë drejtim është plotësisht e pabazuar, shpifëse dhe dashakeqe. Qeveria antishqiptare me këto veprime po manipulon publikun, duke u përpjekur që të zhvendosë vëmendjen nga problemi I vërtetë- qasja selektive e policisë”, thanë nga BDI.
VMRO-DPMNE thotë se është zbuluar dhe prishur skenari i LSDM-së dhe BDI-së për krijimin e krizës artificiale, destabilizimit dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike.
“Dështuan të gjitha skenarët e errëta për mbrojtjen e krimit LSD dhe BDI. Policia ka reaguar në mënyrë eksprese dhe profesionale, ndërsa plani I LSD-së dhe BDI-së për tensione është penguar dhe për shkak të kësaj ata janë nervozë dhe në panikë”, reaguan nga VMRO-DPMNE.
LSDM nga ana tjetër insiston për takim liderësh për çështjen e sigurisë së shtetit.
“Koha kërkon përgjegjësi, ndërsa ne jemi të gatshëm që ta tregojmë. Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, bën thirrje për mbajtje urgjente të takimit të liderëve me të gjitha partitë parlamentare“, thanë nga LSDM.
Për incidentet me përdhosjen e flamujve shtetërorë e kombëtar, policia ka bërë të ditur se tashmë janë arrestuar 17 persona, ndërsa po merren masa sanksionuese edhe ndaj dy zyrtarëve policorë që përdhosën flamurin shqiptar./Alsat.mk