VLEN apo BDI, kush bëri më shumë punësime?! Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti thotë se BDI-ja edhe në kulmin e saj ka bërë maksimum 600 punësime në vit, ndërsa thotë se VLEN-i deri më tani ka bërë 1,000 punësime.
“Unë i sfidoj pra, hajde ta matim me vitin që e kanë më të suksesshëm edhe këtë vit që është VLEN-i. Unë ju them që për momentin VLEN-i ka afër 1 mijë punësime të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike, ndërsa ata në vitin më të suksesshëm nuk e kanë kaluar 500-600 shqiptarë. Mirëpo nuk ka përfunduar. VLEN-i pretendon që brenda vitit do të punësojë dyfishin e kësaj që e kemi bërë”, tha Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë.
Kjo i ofendon njerëzit, thotë nënkryetarit të integristëve Bujar Osmani, duke paralajmëruar se pasojat nga shfuqizimi i mekanizmi të balancuesit do të shihen në vitet dhe dekadat e ardhshme.
“Është arrogancë në mbulimin e asaj që ndodh realisht, sepse anulimi i balancuesit në fakt ka treguar arsyen e vërtetë se pse e kemi sjellë ne balancuesin. Për shkak se këtu ka një tendencë për të përjashtuar shqiptarët nga institucionet, edhe kanë nisur me përjashtim nga institucionet kritike, prej institucioneve të sigurisë, pastaj edhe në institucionet të tjera. Merrni punësimet që janë bërë, edhe atë jo vetëm në Shkup por edhe në qytetet ku shqiptarët janë shumicë, shqiptarët janë shndërruar me zero”, tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Përndryshe, pas shfuqizimit të Balancuesit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, qeveria përgatiti një propozim ligj të ri Për përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë, i cili zyrtarisht nuk është bërë publik, por opozita shqiptare e ka kritikuar pasi ka arritur ta sigurojë tekstin. Ky propozim-ligj, përpara se të vijë në Kuvend për miratim, është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias.










