Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, lidhur me Ligjin për shkollat fetare dhe statusin e Medresesë “Isa Beu”.
Në reagimin e tyre thuhet:
“Çka po të pengon Medreseja, Bujar Osmani?!
Ç’faj kanë medresantët për dëshirën tënde të ligë që ‘Isa Beu’ të bie në Gjykatën Kushtetuese, z. Osmani? Çka po të pengon Medreseja?! Ku të dhemb dhëmbi?! A thua një institucion arsimor me traditë fetare është kërcënim për ty? Po sikur të kishe heshtur, në vend që të luteshe për rrëzim të shkollës që ka edukuar breza të tërë?”
VLEN thekson se Ligji për shkollat fetare është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me të gjitha procedurat institucionale.
“Sa për dijeninë tuaj, Ligji për shkollat fetare është hartuar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, i cili u jep të drejtë bashkësive fetare të themelojnë shkolla. Është reflektuar dhe çdo sugjerim i mëparshëm institucional nga ministritë përkatëse, në një proces të hapur dhe profesional.”
VLEN përkujton se pas më shumë se 40 vitesh, Medreseja “Isa Beu” po njihet si shkollë e barabartë në sistemin arsimor shtetëror.
“Pas më shumë se 40 vjetësh, Medreseja ‘Isa Beu’ më në fund po njihet si shkollë e mesme e barabartë në sistemin arsimor të shtetit.
Ky është një hap drejt drejtësisë dhe barazisë. VLEN është përcaktuar për zgjidhje të qëndrueshme ligjore jo për pazare ditore politike!”










