Kandidati i VLEN për Komunën e Bogovinës, Feti Abazi, gjatë hapjes së shtabit zgjedhor në Sedllarcë, u zotua se do të sjellë një qasje të re në politikën lokale, e bazuar në kërkesa reale dhe projekte të realizueshme, e jo në premtime boshe.
“Ju jeni lodhur që 20 vite vetëm me premtime dhe deklarata të shkruara në letër. Kur kam ardhur para 10 ditësh këtu në Sedllarcë, kam ardhur që t’i dëgjoj kërkesat reale të banorëve,” tha Abazi në fillim të fjalimit.
Ai theksoi se prioritetet e tij do të jenë çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: infrastruktura, uji i pijshëm, ndriçimi publik, mirëmbajtja e gjelbërimit dhe ekologjia.
“Kam kërkuar kërkesa reale, dhe të realizueshme, jo premtime boshe,” shtoi ai, duke nënvizuar se qytetarët meritojnë veprime konkrete e jo fjalë.
Në vijim, Abazi prezantoi disa nga pikat programore që do të realizohen në Sedllarcë dhe vendbanimet përreth:
Ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve dhe trotuareve;
Kanalizimi dhe rrjeti i ujësjellësit;
Ndërtimi i rrugës Sedllarcë–Bogovinë;
Mirëmbajtja e terreneve sportive dhe kanaleve ujitëse.
Duke folur për projektin strategjik të Korridorit 8, Abazi kritikoi pushtetin aktual lokal për mungesë transparence dhe komunikimi me qytetarët.
“Mungesa e informacioneve për Korridorin 8 është pasojë e mosinteresimit të pushtetit lokal. Banorët kanë të drejtë të dinë çfarë po punohet dhe si ndikon kjo në komunën tonë,” theksoi ai.
Në fund, kandidati i VLEN siguroi qytetarët se Bogovina do të ketë një administratë të hapur dhe bashkëpunuese, që dëgjon e zgjidh hallet e përditshme të banorëve, duke theksuar se “është koha që fjala e qytetarit të kthehet në veprim konkret.”










