Shkruan: Afrim Tanallari
Në politikë ka momente kur një subjekt vihet para një prove të madhe: a është më i rëndësishëm interesi personal apo misioni që u është premtuar qytetarëve? Kjo pyetje sot shtrohet edhe për VLEN-in.
Pas ndryshimeve dhe lëvizjeve të fundit në skenën politike shqiptare, shumëkush pyet: a është VLEN i bashkuar apo i ndarë? Përgjigjja varet nga këndvështrimi. Nëse bashkimin e matim me numrin e individëve që qëndrojnë nën të njëjtën çati politike, atëherë mund të thuhet se ka pasur ndarje. Por nëse bashkimin e matim me idetë, qëllimet dhe zotimet ndaj qytetarëve, atëherë VLEN mbetet më i bashkuar se kurrë.
Historia politike shqiptare ka dëshmuar se partitë shpesh janë ndërtuar rreth individëve. Kur individët largohen, strukturat dobësohen ose shuhen. Por VLEN lindi si reagim ndaj një sistemi të tërë politik që për vite me radhë ndërtoi privilegje për pak njerëz dhe zhgënjim për shumicën. Pikërisht për këtë arsye, forca e tij nuk qëndron te një emër apo te një figurë e vetme, por te ideja se shqiptarët meritojnë qeverisje më të mirë, institucione më të drejta dhe mundësi të barabarta.
Ata që presin shpërbërjen e VLEN-it, në fakt shpresojnë në rikthimin e politikës së vjetër. Ata besojnë se largimi i një individi duhet të sjellë domosdoshmërisht kolapsin e një projekti politik. Por kjo logjikë është pikërisht ajo që shqiptarët refuzuan kur vendosën të mbështesin ndryshimin.
Një koalicion apo parti nuk testohet në ditët e qeta. Ajo testohet kur përballet me sfida, kur ka presione, kur ka oferta dhe tundime. Pikërisht në këto momente kuptohet kush qëndron për parime dhe kush për interesa. Dhe sot, pavarësisht dallimeve apo debateve të brendshme, shumica e njerëzve që përbëjnë VLEN-in kanë zgjedhur të qëndrojnë besnikë ndaj mandatit që morën nga qytetarët. Shkëputja kushton karier politike.
Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është nëse VLEN është i bashkuar apo i ndarë. Pyetja është nëse shqiptarët duan kthimin e modelit të vjetër politik apo vazhdimin e një rruge që synon ndryshimin. Në fund të fundit, qytetarët nuk votojnë për t’u bërë spektatorë të konflikteve personale. Ata votojnë për rezultate, për punësim, për zhvillim dhe për dinjitet.
Nëse VLEN arrin t’i japë këto rezultate, atëherë do të dëshmojë se bashkimi i vërtetë nuk është ai i emrave, por ai i vizionit. Dhe një vizion i përbashkët është gjithmonë më i fortë se çdo ndarje individuale.










