Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderët e koalicionit VLEN, ministra e deputetë kanë qëndruar në Prekaz, ku kanë bërë homazhe te kompleksi memorial i familjes Jashari, shkruan gazeta KOHA.
Izet Mexhiti, njëri nga dy bashkëkryetarët e VLEN-it, ka theksuar se çdo vizitë në këtë vend është një kujtesë e fortë për sakrificën që u bë për lirinë e Kosovës.
Ai theksoi se aty u takua edhe me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Në Prekazin heroik, te konaku famëmadh i familjes Jashari, ku Baci Rifat si gjithnjë i fortë si kështjellë. Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së nderuam kryeheroin Adem Jashari dhe gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Mexhiti.
Sipas tij, çdo vizitë në familjen Jashari është një rikujtim i çmimit të lartë të lirisë dhe sakrificës së bërë për çlirimin e Kosovës.
Megjithatë, në këtë vizitë nuk ishte i pranishëm zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili duket se ka mbetur jashtë Kryesisë së ngushtë të VLEN-it, pasi vendin e tij e zuri deputeti Ilir Demiri. Fetai vazhdon të mbetet i padëshirueshëm nga grupi i Azir Aliut, ndërsa është caktuar tashmë që nënkryetar i VLEN-it të jetë deputeti Demiri dhe jo Fetai.
Sekretar gjeneral do të jetë Bekim Sali, kryetar i Alternativës, ndërsa Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti bashkëkryetarë.
Bekim Qoku i Vetëvendosjes, edhe pse ishte bërë gati për Sekretar gjeneral, ka rënë nga kombinatorikat. Po mendihet ti ndahet një Sekretariat sa për të thënë se është brenda Kryesisë së ngushtë të VLEN-it.
Në Prekaz nuk ishte as Fatmir Limani, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale. Limani ptej disa javësh i ka hapur luftë të hapur BESËS dhe Bilall Kasamit, ndërsa vazhdon ta kërcënojë VLEN-in se “do t’i nxjerrë nga Qeveria”. (koha.mk)










