Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të BDI/AKI-së, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe të motivuara për të mbuluar korrupsionin shumëvjeçar.
“BDI/AKI me gjysmën e kryesisë në lista të zeza ndërkombëtare nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin të flasin për “botën serbe”, sepse Abaz Xhuka i UÇK-së nga korrupsioni përfundoi në Ali Ahmetin e Soravisë. Nëse dikush për dy dekada i ka shërbyer interesave të Serbisë, atëherë janë pikërisht ata që sot bëjnë moral me “shqiptarinë”. Shkurt e shqip sa keni punuar ju për shqiptarët, aq ka punuar Mijallkovi për drejtësinë.”
Në reagimin e VLEN theksohet se në vend që të ofrojnë ide për jetën e qytetarëve, BDI/AKI shpifin dhe manipulojnë:
“Në vend që të ofrojnë ide për jetën e përditshme të qytetarëve, ata shpifin, manipulojnë dhe përdorin çdo ndjenjë të popullit tonë për të mbuluar korrupsionin e tyre vetëm e vetëm për për t’i ikur korrupsionit të lartë. Vetë raporti i Western Balkans Anti-Disinformation Hub paralajmëron për rrezikun e keqpërdorimit të marrëdhënieve ndëretnike për dezinformata dhe tensione, pra, modeli i pastër i BDI/AKI-së.”
VLEN përmend edhe një listë të gjatë veprimesh që i konsideron bashkëpunime të errëta të BDI/AKI-së:
“Lista e bashkëpunimeve të tyre të errëta është e gjatë: “Ballkani i Hapur”, që VLEN dhe Kosova e kundërshtuan me forcë si rrezik për interesat shqiptare, Bujar Osmani me 11 takime në Beograd dhe asnjë në Prishtinë, plani 9-pikësh në dëm të Kosovës, Fatmir Besimi duke shtrënguar duart me gjeneralë serbë të akuzuar për krime lufte, hyrja e MTEL-it serb në tregun tone, tentativa për t’ia dorëzuar Tetovën oligarkut të sanksionuar Daka Davidoviq, nënshtetësia për Onishçenkon, nënshkruar nga Grubi. Madje edhe simbolikat e Car Dushanit, Car Samoilit, kuajve e luanëve janë pjellë e politikave të BDI-së.”
Në fund, nga ky koalicion theksojnë se e vetmja alternativë për ndryshim është VLEN:
“Kjo është e vërteta e BDI/AKI-së. Nuk ekziston “botë serbe”, por ekziston bota e korrupsionit dhe e katarahurës së 20 viteve pushtet, që shihet me sy të lirë në çdo komunë ku ata qeverisin. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe sot alternativa e vetme reale për ndryshim është VLEN.”










