Sot, në seancën e rregullt të Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, është miratuar Plani Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025.
Ky plan synon përfshirjen më të madhe dhe më cilësore të të papunëve në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë dhe masave konkrete për ngritjen e punësimit dhe fuqizimin e kapaciteteve të tregut të punës.
Me kënaqësi njoftojmë se për vitin 2025 janë ndarë mbi 2.5 miliardë denarë (rreth 40 milionë euro) për masat aktive të punësimit, që paraqet një rritje prej 7.5 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar dhe një rekord historik të mbështetjes shtetërore në këtë drejtim. Përmes këtij plani do të përfshihen gjithsej 16.507 persona, të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë nga programet e punësimit, trajnimeve, subvencioneve dhe mbështetjes për vetëpunësim.
Ky është një tregues i qartë se Qeveria e udhëhequr nga VLEN dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës janë të përkushtuara në mënyrë serioze për të përmirësuar gjendjen në tregun e punës, për të fuqizuar kapitalin njerëzor dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tregut dhe komunitetit të biznesit në vend.
VLEN mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave konkrete dhe të drejta, që krijojnë më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë.







