Përfaqësues të koalicionit VLEN zhvilluan homazhe në nderim të jetëve të humbura tragjikisht në Koçan. Në komunat ku drejtojmë, me dhimbje të thellë dhe respekt të madh, u përkulëm në heshtje për të shprehur solidaritetin tonë me familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.
Kjo fatkeqësi ka tronditur çdo zemër dhe ka prekur çdo familje, pavarësisht përkatësisë apo gjuhës që flasim. Sot jemi të bashkuar në dhimbje dhe në kujtim të atyre që nuk janë më. Ky është një moment që na kujton vlerën e jetës dhe rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë në ditë të vështira.
Në këto çaste zie, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe me të gjithë ata që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie. VLEN qëndron pranë tyre, duke ndarë dhimbjen dhe forcën për të përballuar këtë humbje të rëndë.
Koalicionin tonë e udhëheq parimi i solidaritetit dhe humanizmit, dhe në këto momente të vështira, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të qenë pranë qytetarëve, jo vetëm në momente gëzimi, por edhe në kohë pikëllimi.