Trendy

VLEN: Nga Sopoti te Lagjja e Trimave, kjo është trashëgimia 24-vjeçare e BDI-së

Para 4 orë

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke akuzuar partinë e drejtuar nga Ali Ahmeti se gjatë 24 viteve në pushtet ka dëmtuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe e ka shndërruar atë në instrument për interesa partiake dhe personale.

Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie politike, por rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë dhe një moment historik që, sipas tyre, detyroi shtetin të reflektojë mbi parimin e barazisë.

“BDI e degradoi Marrëveshjen e Ohrit në dekor për pushtet, tenderë, privilegje klanore dhe pasurim personal”, thuhet në reagim.

VLEN rikujton deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë për, siç thonë ata, korrupsionin e lartë në vend dhe akuzon ish-funksionarë të BDI-së se e kanë përdorur procesin e avancimit të të drejtave të shqiptarëve për përfitime personale.

Në reagim renditen një sërë ngjarjesh dhe rastesh që, sipas VLEN-it, përbëjnë “trashëgiminë politike” të BDI-së, duke përmendur rastet e Sopotit, Enciklopedisë së diskutueshme, projektin “Shkupi 2014”, rastin “Monstra”, ngjarjet në Lagjen e Trimave, si dhe disa tragjedi dhe skandale që kanë shënuar vitet e fundit në vend.

VLEN akuzon gjithashtu BDI-në për përfshirje në afera korruptive, ndikim në proceset gjyqësore dhe mbrojtje të figurave të larta politike të përfshira në skandale.

“Nuk ka parti politike që më shumë e ka dëmtuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit sesa vetë BDI”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, VLEN vlerëson se shqiptarët nuk mund të identifikohen me tenderët, kazinotë apo korrupsionin dhe se Marrëveshja e Ohrit u takon të gjithë shqiptarëve, e jo një partie të vetme politike.

Trending