Trendy

VLEN nxjerr zbuluar qeverinë e kaluar për hyrjen e kapitalit serb dhe MTEL

Para 8 muaj

Koalicioni i partive shqiptare në pushtet, VLEN, ka publikuar një reagim të ashpër kundër Bujar Osmanit, ku e akuzon se, ndonëse ai pretendon se do të largojë “mizën nga koka”, në fakt është vetë pjesë e problemeve që pretendon t’i luftojë.

Sipas VLEN, hyrja e MTEL në Maqedoni në korrik 2021 ndodhi pikërisht në kohën kur Bujar Osmani ishte ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa ministrat e ekonomisë dhe financave ishin nga BDI. Pa pëlqimin politik të kësaj qeverie, MTEL nuk do të kishte marrë licencë dhe nuk do të kishte hyrë në tregun vendas.

Gjithashtu, qeveria e Osmanit dhe Grubit mori disa vendime që lejuan hyrjen e kapitalit nga krimi i organizuar serb dhe malazez në biznesin e kazinove, thekson VLEN.

Ndërsa sot Osmani shfaqet i shqetësuar për hyrjen e kapitalit serb, VLEN vëren se vetë qeveria e tij dha dritë të gjelbër për këtë fenomen.

“Shkaku që BDI është në listën e zezë është vetëm pasojë e shumë informacioneve për hyrjen e bizneseve dhe kapitalit të dyshimtë serb gjatë kohës së qeverisjes së BDI-së,” theksojnë nga koalicioni.

Duke kërkuar transparencë, VLEN i drejtohet Osmanit me pyetje:

“A është, sipas informatave tona, hyrja e paralajmëruar e ‘Alta Bankës’ rezultat i shumë takimeve që ai dhe Ali Ahmeti i patën me presidentin Vuçiç dhe me funksionarë të tjerë serbë?
A ekzistojnë proces verbale, korrespondencë dhe marrëveshje nga këto takime – dhe nëse po, pse nuk janë publikuar?”

“Opinioni meriton politikë konsistente dhe transparencë të plotë, jo përplasje ditore dhe përgjegjësi të ndara,” përfundon VLEN.

Nëse Osmani është i sinqertë, koalicioni kërkon që ai të publikojë të gjitha dokumentet dhe të shpjegojë pse në vitin 2021 qeveria e tij mbështeti hyrjen e MTEL në tregun vendas.

Trending