VLEN nuk ka dhënë akoma vendim të prerë për Fatmir Limanin dhe Arben Fetain, nëse qëndrojnë ose jo pas tyre si anëtarë të qeverisë. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi, duke dhënë qëndrimin e tij personal si përfaqësues i VLEN-it, tha se vendimi do të vijë me konkretizimin e organeve të partisë.
“Në organet e VLEN-it nuk është konstatuar nëse kanë mbështetjen ose jo. Tash në këtë fazë është finalizimi i krijimit të partisë dhe duhet të diskutohet brenda organeve të reja të VLEN-it. Nuk dua të jap kualifikime nëse janë të pranueshëm ose jo. Rikonstruimi është në maj ose në qershor dhe deri atëherë organet e reja do të marrin një vendim për pjesëmarrësit në ekzekutiv”, deklaroi Afrim Gashi.
Limani dhe Fetai janë disa nga emrat për të cilët është pyet edhe kryeministri nëse do të ndërrohen. As ai nuk ka dhënë qëndrim të prerë. Se cilët janë ministrat e tjerë të cilëve u lëkundet kolltuku, nuk është akoma e qartë.
Edhe ministrja e Arsimit Vesna Janevska, e pyetur për këtë gjë, tha se vendimin e merr mandatari.
“Ajo për të cilën jam e sigurt është se punoj secilën ditë sa më shumë që është e mundur për të pasur kontribuuar për zhvillimin e vendit. Qeverinë e propozon mandatari. Kurse partia po ashtu ka strukturat e saja të cilat me kujdes mendojnë në shërbim të shtetit dhe propozojnë funksione të caktuara. Kështu që nuk varet vetëm nga unë ose nuk varet aspak nga unë nëse do të më zëvendësojnë ose jo”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.
Kryeministri ka paralajmëruar rikontruim në maj ose qershor. /Alsat.mk.










