Anëtarësia e VLEN ka njoftuar se do të iniciojë një fushatë donacioni për të blerë një detektor për gënjeshtra që duhet të instalohet urgjentisht në Reçicë të Vogël. Sipas VLEN, sasia e gënjeshtrave që BDI plason në secilën paraqitje publike është aq e paturpshme, sa që opinioni dyshon se vetë ata kanë filluar t’i besojnë trillimeve të tyre, një fenomen që përshkruhet si “sindromë” që po futet në fushën e shkencës mjekësore.
“Kur e dëgjojnë Bujar Osmanin ata krijojnë përshtypjen se ai është në huti se po kandidon për president, jo për zgjedhjet lokale. Dhe ai i shkreti për shkak se nuk ka pasur kurrë kontakt me banorët e Çairit dhe realisht nuk i ka të njohura kompetencat e komunës, po kërkon një fije kashte për shpëtim te çështjet kombëtare,” thekson VLEN.
Në kumtesë janë evidentuar tre gënjeshtra kryesore të BDI-së:
Gënjeshtra 1: “BDI është përfaqësuesja e vetme legjitime e shqiptarëve!” VLEN pyet: pse BDI në zgjedhjet e ardhshme lokale numrin më të madh të komunave shqiptare ua lëshoi kandidatëve të tjerë? Pse BDI-ja “legjitime” fshihet pas partnerëve të koalicionit?
Gënjeshtra 2: VLEN akuzon Bujar Osmanin se po shpërndan trillime mbi bashkëpunimin e BDI-së me Levicën dhe përpjekjet për humbje të mundshme, ndërkohë që ai harroi me qëllim Danella Arsovskën dhe rolin e Nikolla Gruevskit dhe Blerim Bexhitit në sulmet e orkestruara në Çair.
Gënjeshtra 3: “Koalicioni i ‘shiritit ngjitës’ midis Ahmetit, Taravarit dhe Selës është bashkimi më i madh i shqiptarëve në 20 vitet e fundit.” VLEN e kundërshton këtë, duke e parë si një mjet për të mbuluar skandalet e korrupsionit të BDI-së dhe për të amortizuar pakënaqësitë e shqiptarëve.
VLEN thekson se sjellja e Osmanit po kontribuon që zgjedhjet lokale të shndërrohen në një referendum – kundër BDI-së.





