Trendy

VLEN për projektin e interkoneksionit me Shqipërinë: BDI nuk ndërtoi, por nxori para për vete

Para 2 orë

Koalicioni VLEN ka akuzuar sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se përmes kontratave të dyshimta dhe projekteve të bllokuara për vite me radhë, ka mundësuar që miliona euro nga qytetarët të përfundojnë te persona dhe kompani të afërta me lidershipin e saj.

Në një reagim publik, VLEN thekson se në vend që të japë llogari për bllokimin mbi pesëvjeçar të projektit për interkoneksionin energjetik me Shqipërinë, BDI po përpiqet të devijojë vëmendjen përmes sulmeve politike dhe, sipas tyre, manipulimeve.

Sipas këtij subjekti, prishja e kontratës për projektin në fjalë ka nxitur “panik” te BDI, pasi, siç pretendohet, përmes saj janë tërhequr mjete të konsiderueshme publike pa realizim konkret në terren. VLEN pretendon se gjatë kohës së qeverisjes së BDI-së, si nënkontraktorë janë përfshirë persona të afërt me udhëheqësit e saj, duke përmendur edhe lidhje të drejtpërdrejta me figurat kryesore politike të partisë.

Në reagim thuhet se kompania e angazhuar për projektin ka realizuar vetëm rreth 4 për qind të punimeve në më shumë se pesë vite, ndërsa paralelisht janë kërkuar mjete shtesë përmes anekseve që arrijnë deri në 50 për qind të vlerës së kontratës.

VLEN gjithashtu thekson se shteti ka paguar kamata për kredi që nga viti 2015, pa përparim real të projektit, duke iu referuar analizave të MEPSO për humbje milionëshe si pasojë e vonesave.

Sipas tyre, vendimi për ndërprerjen e kontratës është marrë pas një analize forenzike të detajuar dhe në përputhje me procedurat e European Bank for Reconstruction and Development, duke theksuar se çdo hap është kryer nën mbikëqyrjen e këtij institucioni ndërkombëtar dhe me përfshirje të ekspertizës së USAID.

VLEN kundërshton gjithashtu pretendimet e BDI-së lidhur me procedurat para DAB, duke i cilësuar ato si mekanizëm para-arbitrazhi dhe jo vendim përfundimtar juridik.

Në fund, koalicioni thekson se tenderi i ri për projektin i është dhënë një konsorciumi të udhëhequr nga Dalekovod d.d., duke e cilësuar këtë si një hap drejt realizimit të projektit pas viteve të stagnimit.

“BDI nuk ndërtoi, por nxori para për vete. Ndërsa ne do të ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Trending