Koalicioni VLEN thotë se ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga instancat evropiane dhe pritet shumë shpejt të hyjë në procedurë parlamentare, duke e cilësuar këtë hap si mbyllje përfundimtare të një prej kapitujve më të mëdhenj të mashtrimit politik ndaj shqiptarëve. Sipas VLEN-it, për më shumë se dy dekada çështja e përfaqësimit të drejtë është përdorur si slogan, alibi dhe mjet shantazhi politik, pa u shndërruar asnjëherë në standard real ligjor. Ligji i ri, theksojnë nga koalicioni, është dëshmi se ajo që për vite është premtuar, sot po bëhet normë ligjore e qartë, e matshme dhe e zbatueshme.
“Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk mbetet peng i vullnetit politik të qeverive, pazareve partiake apo manipulimeve zgjedhore, por rregullohet me ligj të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm”, thuhet në komunikatën e VLEN-it. Sipas tyre, me këtë ligj mbyllet edhe hallka kyçe e Marrëveshjes së Ohrit, duke e kthyer parimin e barazisë nga deklaratë politike në mekanizëm funksional.
VLEN thekson se faktet janë të pamohueshme dhe se për të njëjtin ligj mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Ky vlerësim, sipas koalicionit, e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite ka folur për përfaqësim të drejtë, por nuk ka pasur as guximin dhe as vullnetin politik ta rregullojë atë me ligj.
“VLEN e ka bërë atë që të tjerët vetëm e kanë premtuar”, thuhet më tej në reagim.
Me ligjin e ri, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat shndërrohet në një mekanizëm ligjor që garanton barazi reale, transparencë dhe drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie dhe pa ndërmjetësime partiake.
Ligji pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa nga VLEN u bëhet thirrje të gjithë deputetëve, pa përjashtim, që të veprojnë me përgjegjësi dhe në interes të publikut. “Ky nuk është ligj partie. Ky është ligj i barazisë, ligj i drejtësisë dhe ligj i së ardhmes evropiane të vendit”, përfundon komunikata e koalicionit VLEN.





