Trendy

VLEN premton 20 punësime në Ansamblin Muzikor të Tetovës

Para 2 orë

Pas bujës në opinion për rrezikimin e mundshëm të ekzistencës së Ansamblit Muzikor në Tetovë, koalicioni VLEN që është në qeveri thotë se ky institucion nuk do të rrezikohet por që po punohet në punësimin e rreth 20 artistëve, megjithatë nuk japin afate konkrete realizimi, shkruan Portalb.mk.

Nga VLEN, të cilët në ekzekutiv përfaqësohen zëvendësministrin e Kulturës, Sedat Sulejmanin, sigurojnë se Ansambli Muzikor i Tetovës nuk do të rrezikohet.

“Ky institucion jo vetëm që nuk rrezikohet, por përkundrazi, po forcohet. Aktualisht po punohet intensivisht në kompletimin e dokumentacionit për funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, përfshirë edhe punësimin e rreth 20 artistëve në fazën e parë”, thanë nga VLEN.

Megjithatë nga aty nuk tregojnë se kur pritet që ky proces të përfundojë dhe ansambli të ketë përfundimisht të punësuar.

Strategjia e Kulturës ndezi debat

Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.

Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.

Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.

“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.

Ansambli: Strategjia jep pasqyrë të paqartë

Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë ka paraqitur zyrtarisht vërejtjet ndaj Draft Strategjisë për Zhvillimin e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2026–2030, ku mes tjerash thuhet se ky Ansambël funksionon me kapacitete të kufizuara dhe nuk e përjashton racionalizimin e tij.

Vërejtjet e tyre kryesore janë se: vlerësimi është i gabuar, punësimet janë bllokuar nga shteti, institucioni funksionon madje me sukses, qasje e pabarabartë nga ministria, racionalizimi/fuzionimi do ishte gabim dhe strategjia duhet të korrigjohet.

Ministria e Kulturës: Ansambli i Tetovës nuk do të mbyllet, do të analizohen 72 institucione të kulturës

Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk thonë se Ansambli nuk do të mbyllet, megjithatë thonë se do të vendoset në periudhën në vijim për institucionet që funksionojnë me kapacitete të kufizuara.

“Në Strategjinë Kombëtare askund nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar “Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut” – Tetovë, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Ministria thotë se në periudhën në vijim do të realizojë një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të rrjetit ekzistues prej 72 institucionesh kombëtare, nga e cila pritet të dalin tregues të qartë për veprimet e ardhshme.

Artistët në revoltë

Të menjëhershme kanë qenë reagimet e artistëve të cilët kërkojnë që mos të lejohet mbyllja e këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën në vend. Ndaj kësaj situate kanë reaguar violinisti Xhafer Xhaferi, dirigjentja Agona Çupi, këngëtari dhe instrumentisti Vullnet Neziri, dirigjenti Premtim Etemi, profesori dhe kompozitori Fatos Lumani etj.

Trending