Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj vendimit për rivendosjen e monumentit të Andon Lazov – Qoseto në Shkup, duke e cilësuar atë si një “aksion tendencioz” dhe provokim të inskenuar nga kryetarja në ikje e qytetit, Danella Arsovska, në bashkëpunim me BDI-në dhe Levicën.
Në një komunikatë për media, VLEN thekson se ky veprim paraqet një tentativë për të përçarë marrëdhëniet ndëretnike dhe për të ringjallur temat polarizuese dhe konfliktuale në prag të zgjedhjeve lokale. “A ishte ky vendim i koordinuar nga shtabi i Danella Arsovskës në Saraj?” pyet koalicioni, ndërsa vë në dukje se qyteti po përballet me probleme të rënda, si plehrat, mungesa e ujit dhe vështirësitë e banorëve, për të cilat kryetarja dhe partnerët e saj nuk po japin zgjidhje, por vetëm nxisin tensione.
VLEN kujton gjithashtu se përmendorja e Qosetos u ndërtua me financime nga Qeveria ku Bujar Osmani dhe Blerim Bexheti ishin ministra nga BDI-ja, duke theksuar se kjo është një lojë politike për të destabilizuar institucionet.
“Ky akt qyqar i kryetares në ikje ka vetëm një qëllim: vazhdimin e skenarëve destabilizuese dhe përpjekje për të sfiduar stabilitetin e institucioneve. Kryetarja e dështuar Arsovska dhe partnerët e saj- BDI dhe LEVICA nuk do t’ia dalin,” thuhet në komunikatën e VLEN-it, e cila paralajmëron se qytetarët do të dënojnë këtë koalicion destruktiv në zgjedhje dhe do t’i dërgojnë përfundimisht në pension politik politikanët që sipas tyre po luajnë me stabilitetin dhe paqen në Shkup.










