Trendy
Screenshot

VMRO-DPMNE: Kollareviq dhe Abazi kanë mbrojtur njerëz të afërt me LSDM-në dhe BDI-në në rastin “Mazut”

Para 1 muaj

VMRO-DPMNE pretendon se ankesa e paraqitur nga ESM kundër vendimit për ndërprerjen e hetimeve në rastin “Mazut” hap mundësinë që lënda të riaktivizohet dhe përbën dëshmi për, siç thonë ata, veprim joprofesional dhe selektiv nga prokurorët Katerina Kollareviq dhe Islam Abazi.

Nga partia akuzojnë se hetimi nuk është ndërprerë për shkak të mungesës së dyshimeve dhe provave, por për shkak të, siç theksojnë, “një operacioni politikisht të motivuar për të shpëtuar njerëz të afërt me LSDM-në dhe BDI-në”.

“Ankesa zyrtare e ESM-së është provë direkte se provat janë vlerësuar në mënyrë selektive, ndërsa faktet dhe dyshimet kyçe janë injoruar qëllimisht për të mbyllur skandalin prej 167 milionë eurosh për furnizimin me mazut për TEC Negotinë”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.

Partia e konsideron “skandaloze” që prokuroria ka përjashtuar një pjesë të provave si arsye për ndërprerjen e procedurës, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas tyre, nuk është siguruar as marrja në pyetje e ish-drejtorit të ESM-së, Vasko Kovaçevski.

“Kjo nuk është drejtësi, por komprometim i vetëdijshëm i procedurës”, thuhet në reagim.

Sipas VMRO-DPMNE-së, ankesa e ESM-së drejtuar Prokurorisë së Lartë Publike paraqet “rrethanë të re” që mund të mundësojë rishqyrtimin e vendimit për ndërprerjen e hetimeve.

“ESM është palë juridike e dëmtuar që kundërshton deklaratat e Kollareviqit dhe Abazit, të cilët u kanë dhënë rol të privilegjuar dhe besim më të madh deklaratave të Kapushevskit, Jahoskit, Adrian Muçës dhe Erdjan Sulkovskit, ndërsa fare nuk e kanë pasur në dispozicion Vasko Kovaçevskin”, thuhet nga partia.

Nga VMRO-DPMNE porosisin se prokuroria duhet të vendosë “nëse do të jetë servis i qendrave politike dhe të biznesit të LSDM-së dhe BDI-së, apo institucion që ndjek krimin”.

Më herët, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ndaloi hetimin për furnizimin me mazut për TEC Negotinë, me arsyetimin se nuk ishin siguruar prova të mjaftueshme për vepra penale dhe dëm financiar. Hetimi përfshinte 13 persona fizikë dhe një kompani, ndërsa sipas kallëzimit fillestar penal të MPB-së, shteti ishte dëmtuar për mbi 167 milionë euro.

Trending